Sejdiu: S’ka rëndësi kush është kryeministër

Aktuale July 17, 2017 - 20:38

Nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu, ka thënë se, partia që përfaqëson ai do të kishte më shumë mandate në Kuvend, sikur të mos ishte në koalicion me LDK-në.

Madje, në rast se koalicioni parazgjedhorë do të bëhej me Vetëvendosjen, Sejdiu thotë se do të dilnin të parët në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Është e natyrshme, sepse votat tona do të barteshin dhe do të shkonin te dikush që ka tregu një rritje të jashtëzakonshme nga zgjedhjet e kaluara. Dhe, ka mundësi që do të dilnim të parët, si koalicion, sikur të ekzistonte një koalicion i tillë. Por, kjo është një shikim mbrapa, që nuk e dimë çka do të ndodhte, as se a do të kishte sinergji mes dy subjekteve”, tha ai në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit.

Ai e përjashtoi mundësinë që të bashkëpunohet me koalicionin PDK-AAK-NISMA (PAN), ndërsa tregon se po presin “dështimin e këtij koalicioni, për t’ua dhënë mundësinë e mandatarit të dytë”.

Por, Sejdiu nuk e sheh problem postin e kryeministrit, sepse “prioritet duhet të ketë programi qeverisës VV-LAA”.

“Një sistem i keq e mposht një njeri të mirë kurdoherë, e një sistem i mirë e mund njeriun e keq kurdoherë. Kështu, nuk është shumë e rëndësishme kush është ministër apo kryeministër, por të kemi strategji konkrete”, tha ai.

Ai tha se PAN ka tentuar që të kontaktojë deputet të AKR-së në formë indirekte, por nuk ka pas ndonjë tentim direkt ndaj tij.