Thirrja e seancës konstituive 'peng' i numrave të PAN-it

Aktuale July 17, 2017 - 20:14

Kanë kaluar një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ndërkaq koalicioni PDK-AAK-Nisma ende nuk ka arritur të formojë qeverinë e re të vendit, e cila do të duhej të udhëhiqej nga Ramush Haradinaj si i nominuar për kryeministër nga ky koalicion.

Pavarësisht kësaj, edhe presidenti Hashim Thaçi, ende nuk ka bërë thirrje për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, ani pse ka javë që KQZ-ja ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit.

Por, sipas deputetit nga Nisma për Kosovën, Milaim Zeka, seanca e parë parlamentare do të mund të mbahet më 27 korrik.

Ai në një prononcim për Telegrafin, theksoi se ky është vetëm një mendim i tij në bazë të disa llogaritjeve që ka bërë.

“Orientimisht duhet të mbahet deri më 27 korrik, sepse para kësaj date nuk ka shancë më e u mbajt, sepse neve na shkojnë 4 ditë deri të regjistrohemi dhe t’i bëjmë kartelat, mbi bazën e kësaj qysh e kom llogaritë unë më së largu të mërkurën apo të enjten e ardhshme mundet të mbahet seanca e Kuvendit”, u shpreh Zeka.

Por një gjë të tillë nuk e ka konfirmuar këshilltari i presidentit Thaçi, Ardian Arifaj.

I pyetur rreth mundësisë së mbajtjes së seancës së Kuvendit më 27 korrik, Arifaj ka thënë shkurt “nuk e di”.

Ndërkaq Milaim Zeka, në emisionin Info Magazinë sot, potencoi se Ramush Haradinaj i ka votat për formimin e Qeverisë së ardhshme.

Zeka shtoi po ashtu se ky është momenti ku në vend nuk duhet të lihet peng formimi i institucioneve sepse një vakum të tillë e kanë shkaktuar përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së.

Mirëpo, Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së Blerim Kuçi, gjatë ditës së sotme po ashtu ka hedhur poshtë deklaratat e deritanishme të anëtarëve të partisë së tij dhe partnerëve të koalicionit PAN që ky i fundit tashmë i ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë.

Ai theksoi se janë në proces të sigurimit të numrave për formimin e Qeverisë.

Më 8 korrik KQZ-ja certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit. Ndërsa, presidenti ka afat ligjor deri më 8 gusht për ta thirrur seancën konstituive të Kuvendit.