Pacolli insiston në 'marrëveshjen historike': Ta bëjmë një qeveri të gjerë

Aktuale July 17, 2017 - 18:37

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli vazhdon të insistojë se zgjidhja më e mirë e situatës aktuale politike do të ishte duke e krijuar një Qeveri me bazë të gjerë.

“Marrëveshja historike”, siç e kishte quajtur Pacolli para disa ditësh do të ishte në interes nacional, për të cilën sipas tij duhet të lihen anash interesat politike.

“Për shkak të situatës së ndërlikuar dhe sfidat që ka Kosova, nuk na nevojitet qeveria e njerës palë kundër një tjetre, qeveria e kushtëzuar fuqishëm nga një Listë që merr urdhërat nga një shtet fqinjë që nuk e njeh Kosovën.Kësisoj, zgjidhja që unë kam propozuar, një qeverisje me bazë të gjerë, e shumicës së partive, e shumicës apo e gjithë faktorëve, e të gjithë krahëve, e të gjithë qytetarëve të Kosovës, është zgjidhja më e volitshme. Kryeministër i Kosovës mund të jetë seicili për të cilin do të jetë konensusi më i gjerë në interes të integrimit euroatlantik të Kosovës. Kjo zgjidhje do ti shërbente konsolidimit të shtetësisë tonë. Kështu do t’i bëjmë me dije të gjithëve se fatin e Kosovës e kanë në duart e veta vetëm kosovarët’, ka shkruar Pacolli në profilin e tij zyrtar në rrjetin social "Facebook".

Positimi i plotë i Pacollit:

Ta shpëtojmë Kosovën, t’a bëjmë një qeveri me bazë të gjerë.

Siç bëjnë të ditur mediat sot, ka dështuar një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit për të organizuar seancën konstitutive të tij. Edhe kjo që ndodhi është zhagitje e proceseve, është vetëmashtrim me kohën, nervat dhe energjinë e popullit të Kosovës.

Për shkak të situatës së ndërlikuar dhe sfidat që ka Kosova, nuk na nevojitet qeveria e njerës palë kundër një tjetre, qeveria e kushtëzuar fuqishëm nga një Listë që merr urdhërat nga një shtet fqinjë që nuk e njeh Kosovën.

Kësisoj, zgjidhja që unë kam propozuar, një qeverisje me bazë të gjerë, e shumicës së partive, e shumicës apo e gjithë faktorëve, e të gjithë krahëve, e të gjithë qytetarëve të Kosovës, është zgjidhja më e volitshme.

Kryeministër i Kosovës mund të jetë seicili për të cilin do të jetë konensusi më i gjerë në interes të integrimit euroatlantik të Kosovës. Kjo zgjidhje do ti shërbente konsolidimit të shtetësisë tonë. Kështu do t’i bëjmë me dije të gjithëve se fatin e Kosovës e kanë në duart e veta vetëm kosovarët.

Një qeveri me konsensus të gjerë me mandat të kufizuar kohor, do t’i shërbente: Lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës nëpërmjet zgjidhjes së drejtë të demarkacionit dhe gjithë obligimeve të marra ndërkombëtarisht; miratimit të një ligji të denjë zgjedhor; rikonsolidimit dhe efektivitetit të administratës publike; trajtimit të pronës së Kosovës për interes të qytetarëve të saj; angazhimit të parezervë për pranimin e vendit tonë në Unesco dhe shtimin e numrit të njohjeve; krijimit të kushteve për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të punës.

Vetëm një angazhim i plotë dhe i sinqertë i gjitha forcave politike në një qeveri të përbashkët do të mundësonte vendosjen e rendit dhe ligjit dhe do të kishte sukses në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vetëm një angazhim i tillë i sinqertë është jetik për Kosovën tonë për të cilën u flijuan shumë gjenerata.

Në këtë kontekst, ftoj miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, qeverinë e Shqipërisë, të na mbështesin në këtë objektiv.

Nëse e duam Kosovën, ta qesim Kosovën dhe interesin e qytetarëve në radhë të parë.