Labinot Tahiri zotohet se nuk do ta braktis Behgjet Pacollin

Aktuale July 17, 2017 - 18:02

Labinot Tahiri, me një fotografi që e ka bërë sot me shefin e tij në parti, Behgjet Pacolli, ka treguar se do t’i qëndrojë besnik atij.

E ka falënderuar publikisht se ia hapi dyert në skenën politike, prandaj ka thënë se nuk mundet që këtë ta përbuzë.

Labinot Tahiri u bë deputet në Kuvendin e Kosovës si pjesë e listës së përbashkët me LDK-AKR-Alternativa, derisa emri i tij po përmendet vazhdimisht në media se do të jetë ai që do të votojë për PAN-in dhe kandidatin e saj për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Pacolli dhe AKR-ja e tij ka marrë qëndrim që të vazhdojë rrugën bashkë me koalicionin parazgjedhor, LAA.

Deklaratën e plotë të Tahirit mund ta lexoni më poshtë:

Secili njeri në jetë e ka nga një mik në ditët e vështira! Mos i harroni ata.

Ditët e vështira, ishin ato, kur një pakicë e njerëzve më neglizhuan, disa nga ata bënin edhe shakatë më të ulëta me emrin tim...! Nganjëherë bile thoshin se edhe kam pas luajtur mendsh, derisa unë ndërtoja shtëpi e duke ua qarë hallin njerëzve të vendit tim!!!

Ndonjëherë, kur qante ‘Erdogan’ apo ‘Obama’, për vendet e tyre dhe miqtë e tyre për ta nuk bënin shaka, por me mua kishte shaka se kështu ndodh me neve shqiptarët vetëm njeriun tonë e përbuzim!!! Por me mua e kanë dhe do ta kenë të kotë përgjithmonë.

Pas disa kohe, pa pritur në aspektin politik, bile edhe human, doli ky njeri i cili e çmoi veprimtarinë time si Labinot Tahiri, duke besuar shumë se unë mund t’i shërbej vendit tim! Mendoj se jam shërbyes i mirë i këtij vendi ashtu do të vdes.

Ky njeri hapi rrugët e mia në aspektin partiak dhe politik.

Unë tani jam i zgjedhur nga populli si Deputet, por numrin 10 në zgjedhjet e Qershorit e kisha nga Behgjet Pacolli.

Faleminderit President.

Këtij njeriu do t’i qëndroj besnik ashtu sikurse jam deri më sot.

Një këshillë: RUANI MIQËT!