S’ka regjistrim të automjeteve, pa shlyerjen e gjobave për kundërvajtje

Aktuale July 17, 2017 - 17:12

Ligji i ri për Automjete i cili ka hyrë nuk fuqi në fund të muajit maj, kufizon regjistrimin veturës për mos-shlyerje të gjobave për “Kundërvajtje në trafikun rrugor”.

Mirëpo, zyrtari përgjegjës për përgatitjen e Ligjit të ri për Automjete, Nebih Shatri, për Radio Kosovën ka thënë se shlyerja e gjobave është i detyrueshëm për kundërvajtjet që kanë ndodhur pas hyrjes në fuqi të Ligjit.

“Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”, thekson neni 43 i Ligjit të ri për automjete. Tek një pjesë e qytetarëve, ka keqkuptime të ndryshme për sa i përket këtij neni, duke menduar se detyrohen t’i shlyejnë të gjitha gjobat e gjertanishme që i takojnë edhe periudhës së para hyrjen në fuqi të ligjit, apo edhe borxhet e tjera publike.

“Unë si qytetar mendoj se kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut, nuk është në rregull që ne të kemi veturë dhe të mos mund ta regjistrojmë në emrat tanë, për shkak se familjarët tanë kanë borxhe të trashëguara”, thotë një qytetar.

Mirëpo, zyrtari i cili ka qenë përgjegjës për përgatitjen e Ligjit të ri për Automjete, Nebih Shatri, për Radio Kosovën ka deklaruar se shlyerja e borxheve është i detyrueshëm për gjobat kundërvajtëse në trafikun rrugor, që kanë ndodhur pas 27 majit të këtij viti, datë kur ka hyrë në fuqi ligji.

“Kjo ka të bëjë për gjobat që realizohen prej kohës kur ka hyrë ligji në fuqi, gjobat e mëhershme që kanë qenë nuk janë pjesë e trajtimit të këtij ligji. Kjo ka të bëjë prej 27 majit të këtij viti, të gjitha gjobat që shqiptohen gjatë kësaj periudhe, ose me rastin e regjistrimit të automjetit nëse ka borxhe, ai automjet nuk mund të regjistrohet derisa nuk fshihen borxhet”, thotë Shatri.

Ekziston mundësia që automjeti të regjistrohet edhe pa e paguar gjobën, nëse pala përmes procedurave gjyqësore, ankohet për gjobën e shqiptuar, sqaron ky zyrtar i ministrisë së Infrastrukturës.

“Kjo për mos me shkaktua huti, në rast se pala ka paraqitur kontest ose ka ushtruar ankesë në gjykatë, në këtë rast, ky nen nuk vlen, derisa nuk merret një vendim prej gjykate”, sqaron Shatri.

Faktikisht ligji nuk ka fuqi retroaktive, ngase asnjë ligj të paktën nga ana juridike nuk mund të ketë fuqi retroaktive, potencoi Shatri.