Hoti: Pse po heshtin ata që thoshin se i kanë numrat për qeverinë?

Aktuale July 17, 2017 - 15:56

Avdullah Hoti nga koalicioni LDK-AKR-AL, ka ironizuar me deklaratat e zyrtarëve të koalicionit PAN se i kanë numrat për krijimin e qeverisë.

Hoti nëpërmjet një statusi në Facebook ka thënë se numrat nuk janë mbledhje e zbritje, por është besim dhe dashuri për vendin.

“Ata që trumpetonin me ditë të tëra se e kanë në dorë konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit janë heshtur. Pëshpëritjet e deritanishme se i kanë numrat më nuk i besojnë as militantët e tyre”, ka shkruar Hoti.

Ky është shkrimi i plotë i Avdullah Hotit:

Mbledhja konstituive e Kuvendit nuk po thirret.

Ata që trumpetonin me ditë të tëra se e kanë në dorë konstituimin e institucioneve të dalura nga zgjedhjet e fundit janë heshtur. Pëshpëritjet e deritanishme se i kanë numrat më nuk i besojnë as militantët e tyre.

Matematika qeverisëse nuk është një mbledhje e zbritje prej autodidakti. Ajo është besim, pikë së pari dhe dashuri për vendin.

LDK mbetët e përkushtuar fuqishëm të deshmoj si gjithmonë vokacionin e saj institucional e demokratik. Ne nuk blejmë as shesim votën e qytetarit tonë por e mbrojmë atë si gjënë më të shenjtë.