Nëse opozita e re do të sillej si Haradinaj s'do të ketë stabilitet

Aktuale July 17, 2017 - 14:47

Rënia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e qershorit ka qenë e pritur, përderisa parashihej që “Vetëvendosja” do të ketë rritje në vota. Megjithatë, ka qenë e qartë se rezultati zgjedhor nuk do të mundësoj deri në atë masë që një parti e vetme apo një koalicion do të ishte në gjendje ta krijonte një shumicë stabile në Parlament.

Kështu ka deklaruar ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri”, duke shtuar se nga bisedat që i kanë pasur me qytetarët e Kosovës e kanë fituar përshtypjen se janë të pakënaqur me gjendjen politike në vend.

Ambasadorja e shtetit më të fuqishëm në Evropë thotë se janë të interesuar që në Kosovë të formohet një Qeveri stabile, por sesi do të zhvillohen gjërat më tutje kjo mbetet të shihet, për faktin se për detyrat që i ka vendi përpara nevojitet stabilitet, duke përfshirë këtu formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Demarkacionin me Malin e Zi si kusht për liberalizim të vizave me BE-në, dialogun me Serbinë.

“Të gjitha këto janë sfida shumë të mëdha të cilat një qeveri mund t’i çojë përpara vetëm me vullnet shumë të fortë. Nëse kjo Qeveri e ka këtë vullnet me 61 vota, atëherë gjithçka është në rregull, mirëpo rreziku është që të mos jetë kështu”, shprehet Viets.

Ambasadorja gjermane ka kujtuar faktin se në qeverisjen e kaluar Ramush Haradinaj, i cili është kandidat i koalicionit PAN për kryeministër, ka bërë pjesë në grupin e opozitës që e kanë vënë në dispozicion gazin lotsjellës për t’i kundërshtuar vendimet e Parlamentit, përkatësisht për Marrëveshjen e Demarkacionit.

Sipas saj, nëse Haradinaj do të jetë në krye të Qeverisë dhe opozita e re do të sillet në të njëjtën mënyrë, atëherë nuk mund të flasim për stabilitet në vend.

“Haradinaj ka qenë një prej kundërshtuesve më të zëshëm të Demarkacionit, i cili përveçse ka refuzuar këtë marrëveshje ka sjellë edhe argumentet e tij pse nuk duhet të votohet ajo. Tani nuk e di sesi do të veprojë ai në të ardhmen, mirëpo ajo që mund të marr me mend është se kjo çështje mund të zgjatet deri në pafundësi dhe Kosova do të mbetet pa liberalizim të vizave”, shprehet Viets.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” ambasadorja gjermane ka folur edhe për nevojën e luftimit të korrupsionit në Kosovë, miratimin e Ligjit për Konfiskim të Pasurisë së Paligjshme, procesin e liberalizimit të vizave me BE-në, përfshirjen e presidentit Thaçi në bisedimet me Serbinë, etj.

Zëri: Znj. Viets, Kosova ka dalë nga një proces zgjedhor i cili u konsiderua si i rregullt dhe demokratik. Tash partitë politike kanë nisur bisedimet për formimin e Qeverisë. Si diplomate e një shteti të rëndësishëm a e shihni të vështirë formimin e saj në këto rrethana?

Viets: Sipas Kushtetutës, hapi i parë që duhet të ndërmerret është konstituimi i Parlamentit. Të gjithë po presim që kjo të ndodhë në ditët e ardhshme, mirëpo deri më tani nuk e kemi parë që ka pasur përpjekje të mëdha në këtë drejtim. Rezultati i zgjedhjeve është certifikuar tashmë një javë, por seanca për konstituimin e Kuvendit nuk është thirrur ende. Vetëm pas konstituimit të saj dhe pas zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit presidenti mandaton kandidatin për kryeministër, partia apo koalicioni i të cilit ka fituar më së shumti vota, që në këtë rast është Ramush Haradinaj, dhe më pas do të presim e të shohim nëse ai i ka 61 e më shumë vota apo jo.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve ka dalë të jetë ashtu siç edhe e kemi parashikuar që prej dy vjetësh. Lëvizja “Vetëvendosje” ka fituar disa vota më shumë sesa kemi menduar, ndërsa PDK-ja ka rënë pak më shumë sesa kemi pritur, por që do të humbë ishte e parashikueshme. Dhe në qoftë se partitë që kanë dashur të mbahen zgjedhjet kanë menduar diçka tjetër, kjo vetëm sa ka treguar se këndvështrimi i tyre dallon shumë me atë të qytetarëve. Ne kemi biseda të rregullta me të gjithë përfaqësuesit e partive politike, kjo është edhe arsyeja pse kemi pasur një vlerësim të saktë për rezultatin e zgjedhjeve.

Qytetarët ishin të pakënaqur

Zëri: Pse po thoni se ka qenë e parashikueshme rënia e PDK-së?

Viets: Ne nga bisedat të cilat i kemi pasur me njerëz të shumtë kemi fituar përshtypjen që shumë qytetarë kanë qenë të pakënaqur dhe në aspekte të caktuara zhvillimet kanë shkuar më larg sesa kanë pritur partitë politike. Nga bisedat me shumë multiplikatorë, me të cilët çdo ditë kemi punë, ka qenë e qartë se “Vetëvendosja” në zgjedhjet e ardhshme do të fitonte më shumë vota sesa në zgjedhjet e kaluara. Për ne ka qenë po ashtu e qartë që në rast të zgjedhjeve të parakohshme një parti apo një koalicion i caktuar do të arrinte një rezultat dukshëm më të lartë sa do të ishte në gjendje të siguronte një shumicë stabile për të formuar një qeveri.

Më lejoni që ta plotësoj këtë përgjigje pasi për mua është shumë e rëndësishme. Unë jam në Kosovë nga viti 2014. Në atë kohë, në dhjetor të vitit 2014, ka zgjatur përafërsisht gjashtë muaj derisa është krijuar Qeveria e re. Prej asaj kohe, pra që prej vitit 2015, mua në secilën intervistë më është parashtruar pyetja nëse duhet të mbahen zgjedhjet e reja sepse ka pasur forca të ndryshme të cilat që nga fillimi kanë qenë të interesuara që Qeveria, e cila sapo ishte krijuar, të bjerë dhe të mbahen zgjedhje të tjera. Pra këto dy vjet ne jemi deklaruar kundër zgjedhjeve të parakohshme sepse e kemi parë që ato nuk do të ndryshonin asgjë në situatën jostabile, e cila ka mbretëruar. Ndërsa tani e kemi pikërisht këtë rezultat jostabil.

Çfarë mund të shihet nga të gjitha këto zgjedhje është se mungon një konsensus i përbashkët për të zgjidhur çështje të rëndësishme dhe për ta çuar Kosovën përpara. Përderisa kjo nuk ndodh dhe nuk bëhen bashkë të dyja blloqet me qëllim t’i shtyjnë proceset dhe vendin përpara, unë jam pesimiste që diçka do të ndryshojë.

Zëri: E thatë që nuk po shihni shumë përpjekje nga PAN-i për t’u thirrur seanca konstituive e Kuvendit. Pse po mendoni që po ndodh kjo, nuk ka gatishmëri apo nuk i kanë numrat?

Viets: Ajo çfarë thashë unë është se së pari duhet të konstituohet Parlamenti, mirëpo këtë nuk po e bën zoti Haradinaj. Dikush duhet ta caktojë seancën për konstituimin e tij. Këtë detyrë e ka presidenti. Kjo për ne është një sinjal që bisedat janë duke u zhvilluar ende. Në momentin që konstituohet Parlamenti atëherë brenda 15 ditëve duhet të formohet edhe Qeveria. Ajo për çfarë jemi ne të interesuar qoftë si Gjermani, qoftë si Bashkësi Ndërkombëtare, është fakti që sa më parë të jetë e mundur të krijohet një qeveria e re, e aftë për të vepruar sepse Kosova ka probleme të shumta të cilat duhen zgjidhur me urgjencë dhe se vendi nuk mund t’ia lejojë vetes të ketë një qeveri jofunksionale edhe për një kohë të gjatë. Mirëpo ne po ashtu jemi të interesuar që të ketë një qeveri stabile dhe si do të zhvillohen gjërat më tutje kjo mbetet të shihet.

Zëri: Dy blloqet “opozitare”, lëvizja “Vetëvendosje” dhe koalicioni LAA, tashmë kanë refuzuar bashkëpunimin me koalicionin PAN e në anën tjetër Ramush Haradinaj po thotë se i ka numrat. Nëse ai krijon Qeverinë me 61 deputetë a do të thotë kjo se është formuar një qeveri “e kontrabanduar”?

Viets: Nuk dua ta komentoj këtë sepse pikë së pari nëse në bazë të bisedave politike arrihet një shumicë, kjo është thjesht politikë. Pra, duhet të presim për të parë sesi do të duket rezultati, sepse ky koalicion do të duhej ta prezantojë Qeverinë dhe të deklarojë se i ka së paku 61 vota. Ndoshta përnjëherë mund t’i bëjnë edhe 80, edhe kjo mund të ndodhë. Mirëpo parakushti i parë është që të ketë një Parlament të aftë për veprim.

Detyrat e mëdha për Kosovën

Zëri: Ju thatë se duhet një qeveri stabile për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme për Kosovën, a mund të konsiderohet një qeveri stabile me 61 vota?

Viets: Kjo varet nga përbërja e Qeverisë dhe nga ajo se kush do të bëjë pjesë në këto 61 vota. Ju mund të lexoni edhe në mediet tuaja që në këta 61 deputetë bëjnë pjesë edhe 20 deputetë nga pakicat, të cilët në Qeveri do t’i sjellin idetë e tyre dhe do t’i paraqesin kërkesat e tyre. Për këtë unë e përmenda konsensusin nacional dhe detyrat që Kosova duhet t’i përmbushë, në radhë të parë zbatimi i MSA-së, formimi i Asociacionit të Komunave Serbe pa dashur ta përmendi këtu edhe Demarkacionin që është edhe si kusht për liberalizimin e vizave, pastaj dialogu me Serbinë që është një gjë shumë e rëndësishme dhe sfidë për një qeveri të vogël. Një qeveri që duhet t’i çojë përpara vetëm me vullnet shumë të fortë. Nëse kjo Qeveri e ka këtë vullnet me 61 vota, atëherë gjithçka është në rregull, mirëpo rreziku është që të mos jetë kështu.

Mandej shfaqet edhe problemi tjetër që ka të bëjë me miratimin e ligjeve të caktuara, nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve. Më lejoni që të shtoj edhe diçka: zotëri Ramush Haradinaj ka bërë pjesë pikërisht te ai grup i opozitës, e cila në të kaluarën ka vënë në funksion gazin lotsjellës në Parlament për t’i kundërshtuar vendimet e këtij Parlamenti. Tani nëse e paramendojmë se opozita e re do të veprojë në të njëjtën mënyrë sikurse e vjetra, atëherë nuk mund të flasim për stabilitet.

Zëri: Me 61 vota Haradinaj nuk do të mundë ta kalojë Demarkacionin, ndryshimin e Ligjit për Ushtrinë. Pra do të jetë një Qeveri e pakicës, e cila nuk mund të ketë jetë të gjatë?

Viets: Në këtë rast mund të kujtoj vetëm edhe një herë se Haradinaj ka qenë një prej kundërshtuesve më të zëshëm të Demarkacionit dhe ka sjellë edhe argumentet e tij. Tani unë nuk besoj se ato argumente, të cilat i ka prezantuar, nuk do të jenë më relevante për të që do të thotë se ai nuk do të mbështesë Marrëveshjen e Demarkacionit në versionin aktual. Tani nuk e di sesi do të veprojë ai në të ardhmen lidhur me këtë. A do të jetë Gjykata e Arbitrazhit apo bisedimet e reja me Malin e Zi këtë nuk e di, mirëpo ajo që mund të marr me mend është që do të ketë një proces të gjatë derisa Kosova të plotësojë këtë kriter për liberalizim të vizave.

Zëri: Në momentin që po kërkohet një qeveri stabile, a duhet që edhe LDK-ja të përfshihet aty dhe posti i kryeministrit të jetë i negociueshëm?

Viets: Unë nuk do t’i komentoja këto kalkulime pasi këtë duhet ta dinë shqiptarët më mirë se unë. Ata e kanë mundësinë që të mblidhen të gjithë së bashku rreth një koalicioni të vetëm.

Mirë që votuesit ndryshuan mendimet

Zëri: Nëse një parti opozitare votohet si partia më e madhe në vend a do të thotë kjo se populli ka votuar për ndryshim?

Viets: Rezultati i zgjedhjeve, pas konfirmimit që zgjedhjet kanë qenë transparente dhe të drejta, e shpreh shumë qartë vullnetin e votuesve. Kohërat kanë ndryshuar dhe nuk është më e parashikueshme sikur përpara sesi do të votojnë votuesit. Kjo vlen edhe për vendet e tjera. Parashikimet nga anketat nuk janë më të sakta sepse votuesit kanë mundësi që aty për aty e ndërrojnë mendjen dhe votojnë për një parti tjetër të caktuar. Sidoqoftë, rezultatet janë prezantuar dhe situata është e qartë.

Sipas mendimit tim, këto zgjedhje në fakt paraqesin një sinjal të mirë për demokracinë sepse votuesit duket se nuk kanë votuar më aq shumë në bazë të oportunizmit, por në bazë të bindjeve të tyre. Kjo për të ardhmen do të thotë se partitë politike duhet të përpiqen më shumë dhe t’i bindin votuesit e tyre nëpërmjet programeve dhe politikëbërjes.

Zëri: Në këtë kontekst, nëse koalicioni më i madh dështon ta krijojë Qeverinë a duhet që mandatari t’i kalojë partisë së dytë për ta formuar atë?

Viets: Unë natyrisht që kam mendimin tim personal dhe kam parapëlqimet e mia rreth krijimit të Qeverisë, mirëpo kjo nuk është relevante sepse kjo bëhet strikt sipas Kushtetutës dhe presidenti sigurisht që do t’i referohet asaj, sepse këto çështje janë të rregulluara në të.  

Zëri: Pikërisht këtu ka paqartësi të mëdha rreth Kushtetutës. Koalicioni i madh po thotë që edhe në tentimin e dytë e kanë të drejtën ata, ndërsa “Vetëvendosja” thotë se u takon atyre?

Viets: Pikërisht këtë çështje Kushtetuta nuk e ka paraparë me përpikëri nëse presidenti në tentimin e dytë duhet ta mandatojë kandidatin e opozitës. Duke qenë kështu, për këtë do të vendosë presidenti dhe ka mundësi që edhe kjo çështje sërish të paraqitet para Gjykatës Kushtetuese. Dhe nuk e di saktë nëse kjo çështje është sqaruar në të kaluar nga Gjykata Kushtetuese.(Vazhdon në numrin e nesërm)