Viets: Qytetarët votuan në bazë të bindjeve të tyre dhe jo oportunizmit

Aktuale July 17, 2017 - 12:25

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka thënë se rënia e PDK-së dhe ngritja e “Vetëvendosjes” kanë qenë të pritshme në këto zgjedhje.

Ajo ka shtuar se Kosovës i duhet një qeveri stabile pasi para vendit janë shumë sfida të mëdha. Sipas saj, nëse Qeveria në krye me Haradinajn do t’i ketë vetëm 61 vota dhe opozita e re do të sillej në Parlament si kreu i AAK-së kundër Demarkacionit, atëherë nuk do të ketë stabilitet në vend.

Lexoni një pjesë të përgjigjes së saj sa i përket zgjedhjeve të fundit:

Zëri: Nëse një parti opozitare votohet si partia më e madhe në vend a do të thotë kjo se populli ka votuar për ndryshim?

Viets: Rezultati i zgjedhjeve, pas konfirmimit që zgjedhjet kanë qenë transparente dhe të drejta, e shpreh shumë qartë vullnetin e votuesve. Kohërat kanë ndryshuar dhe nuk është më e parashikueshme sikur përpara sesi do të votojnë votuesit. Kjo vlen edhe për vendet e tjera. Parashikimet nga anketat nuk janë më të sakta sepse votuesit kanë mundësi që aty për aty e ndërrojnë mendjen dhe votojnë për një parti tjetër të caktuar. Sidoqoftë, rezultatet janë prezantuar dhe situata është e qartë.

Sipas mendimit tim, këto zgjedhje në fakt paraqesin një sinjal të mirë për demokracinë sepse votuesit duket se nuk kanë votuar më aq shumë në bazë të oportunizmit, por në bazë të bindjeve të tyre. Kjo për të ardhmen do të thotë se partitë politike duhet të përpiqen më shumë dhe t’i bindin votuesit e tyre nëpërmjet programeve dhe politikëbërjes.

Zëri: Në këtë kontekst, nëse koalicioni më i madh dështon ta krijojë Qeverinë a duhet që mandatari t’i kalojë partisë së dytë për ta formuar atë?

Viets: Unë natyrisht që kam mendimin tim personal dhe kam parapëlqimet e mia rreth krijimit të Qeverisë, mirëpo kjo nuk është relevante sepse kjo bëhet strikt sipas Kushtetutës dhe presidenti sigurisht që do t’i referohet asaj, sepse këto çështje janë të rregulluara në të.  

Zëri: Pikërisht këtu ka paqartësi të mëdha rreth Kushtetutës. Koalicioni i madh po thotë që edhe në tentimin e dytë e kanë të drejtën ata, ndërsa “Vetëvendosja” thotë se u takon atyre?

Viets: Pikërisht këtë çështje Kushtetuta nuk e ka paraparë me përpikëri nëse presidenti në tentimin e dytë duhet ta mandatojë kandidatin e opozitës. Duke qenë kështu, për këtë do të vendosë presidenti dhe ka mundësi që edhe kjo çështje sërish të paraqitet para Gjykatës Kushtetuese. Dhe nuk e di saktë nëse kjo çështje është sqaruar në të kaluar nga Gjykata Kushtetuese.