Kuvendi dhe Qeveria pritet të bëhen brenda një dite

Aktuale July 17, 2017 - 08:54

Votimi i Qeverisë së re pritet të ndodhë në ditën kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Kështu bëjnë të ditur përfaqësuesit e koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN), të cilët thonë se seanca e parë e Kuvendit pritet të mbahet gjatë kësaj jave. Sipas tyre, kandidat për kryekuvendar nga koalicioni më i madh i dalë në zgjedhjet e 11 qershorit, pritet të jetë lideri i PDK-së Kadri Veseli.

Mirëpo, ndonëse është raportuar se ka deputetë të AKR-së, të cilët do ta votojnë Qeverinë në krye me Ramush Haradinajn, zyrtarë të këtij subjekti kanë thënë të vendosur se asnjë deputet i AKR-së nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Ata madje kanë theksuar se nuk do ta votojnë as kandidatin për kryeparlamentar nga radhët e PAN-it Kadri Veselin. Por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e PAN-it kanë ritheksuar sërish se i kanë numrat e nevojshëm për ta bërë Qeverinë.

Haxhiu: I kemi votat, do të jetë një Qeveri që do të mbahet mend

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se Qeveria do të votohet ditën kur do të mbahet seanca konstituive, me shumë gjasë gjatë kësaj jave.

“Besoj se është në interes të vendit që sa më parë të thirret seanca. Unë besoj shumë që konstituimi i Kuvendit do të ndodhë këtë javë, por njëkohësisht do të ndodhë edhe votimi i Qeverisë. Pra unë besoj që edhe Kuvendi, edhe Qeveria do të ndodhin në të njëjtën ditë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Ajo më tej ka thënë se e rëndësishme është që koalicioni PDK-AAK-Nisma i ka votat e jo prej të cilave parti vijnë deputetët që i janë bashkuar PAN-it.

“Janë votat e mjaftueshme për të qenë Qeveria atë ditë. Do të jetë një Qeveri që do të mbahet mend në memorien e qytetarëve si më e suksesshmja. Nuk është me rëndësi nga cilat parti janë, por janë deputetë nga Parlamenti i Kosovës dhe që të gjithë deputetë të votuar prej qytetarëve. Janë votuar për të punuar për interes të vendit dhe ata duhet të veprojnë ashtu siç mendojnë vetë”, ka shtuar ajo.

Kurse kandidat për kryeparlamentar, sipas Haxhiut, pritet të jetë Kadri Veseli, sado që një gjë e tillë ende nuk është përfundimtare.

Bahtiri: AKR-ja s’e voton as Kadri Veselin e as Qeverinë e PAN-it

Kurse pavarësisht raportimeve të fundit se deputeti nga radhët e AKR-së, Labinot Tahiri, do ta votojë Ramush Haradinajn për kryeministër, nënkryetari i AKR-së Agim Bahtiri ka thënë se asnjë deputet i AKR-së nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

“Asnjëherë, në asnjë mënyrë, në asnjë formë AKR-ja nuk e voton PAN-in. Ajo është e kryer. Ne si parti jemi unikë, jemi duke bërë biseda me LVV-në”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Bahtiri më tej është shprehur i vendosur se PAN-i do të dështojë ta formojë Qeverinë.

“PAN-i d të dështojë, Qeverinë do ta bëjë koalicioni që i ka votat”, ka potencuar ai, me ç’rast ka shtuar se AKR-ja nuk do ta votojë as Kadri Veselin për kryeparlamentar.

Ndërkaq deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina, ka thënë se seanca konstituive duhet të thirret sa më parë nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

“Presidenti i vendit e ka për obligim që sa më parë ta thërrasë seancën konstituive në mënyrë që të marrë fund kjo lojë nervash me qytetarët e vendit rreth punës së numrave për formimin e Qeverisë”, ka deklaruar ajo.

Sipas Pantinës, Thaçi duhet ta mandatojë kandidatin e PAN-it fillimisht, kurse pas dështimit të tij, siç thotë ajo, ta mandatojë atë të “Vetëvendosjes”.

Cakolli: Problemi kyç, sigurimi i votave për kryeparlamentarin

Nga ana tjetër Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se seanca konstituive duhet të thirret më së largu deri më 8 gusht.

“Duke marrë parasysh dispozitat aktuale ligjore, presidenti i Kosovës duhet që brenda 30 ditësh ta thërrasë seancën konstituive. Kjo i bie që presidenti ka kohë që më së largu deri më 8 gusht ta thërrasë këtë mbledhje”, ka deklaruar ai.

Sipas Cakollit, ndonëse është thënë se seanca pritet të mbahet gjatë kësaj jave, ekziston mundësia që ajo të shtyhet në rast se nuk arrihet të sigurohen votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, gjë që kjo e fundit paraqet një problem mjaft të madh.

“Vlerësoj se problem kyç është sigurimi i votave për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe jo për formimin e Qeverisë. Kjo për arsye se presidenti nuk mund ta mandatojë askënd për formimin e Qeverisë pa u konstituar Kuvendi, përkatësisht pa u zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit”, ka shtuar ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Ndërkohë ka bërë të ditur se votimi i Qeverisë mund të ndodhë në të njëjtën ditë kur edhe pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

“Sa i përket mundësisë së votimit për formimin e Qeverisë së Kosovës në të njëjtën ditë kur mbahet seanca konstituive, proceduralisht kjo mund të ndodhë. Mirëpo, kjo varet shumë nga ecuria e procesit të sigurimit të votave të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, është shprehur ai.

Beqaj: Qeveria e ardhshme do t’i shtojë problemet në vend se t’i zgjidhë ato

Kurse politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se një Qeveri, e cila mezi i siguron numrat, nuk mund të thuhet se ka perspektivë.

“Më e rëndësishme nuk është seanca konstituive sa është mënyra eventuale sesi po shkohet në seancën konstituive. Qeveria që ‘arnohet’ nuk ka perspektivë. Kryeministri i një Qeverie të tillë është aventurier”, ka deklaruar ai.

Sipas Beqajt, partnerët e koalicionit nuk i besojnë fare njëri-tjetrit, andaj nga deklarimet e tyre mund të vërehet se Qeveria e re do të jetë e gjymtë.

“Nëse diçka është bërë e qartë për lidershipin politik të Kosovës, atëherë është fakti se tek ta besimi është kategori e huaj. Partnerët potencialë të koalicionit nuk i besojnë njëri- tjetrit e si t’i besoj unë, apo çdo qytetar atyre? Deklarimet publike të subjekteve politike janë dëshmi, derisa nuk i ndryshojnë deklarimet se Qeveria do të jetë e gjymtë pa kurrfarë perspektive”, ka shtuar ai.

Më tej Beqaj ka thënë se Qeveria e ardhshme do t’i shtojë problemet në vend se t’i zgjidhë ato.

“Nuk mbijetoi Qeveria që i pati rreth 90 deputetë që kundërshtohej nga më pak se 30 deputetë, si do të mbijetojë Qeveria me rreth 61 deputetë që do ta kundërshtojnë gati për çdo veprim rreth 59 deputetë? Kjo Qeveri është qeveri aventuriste, e cila do t’i thellojë ndasitë dhe do t’i shumëzojë problemet në vend se t’i zgjidhë ato ekzistueset dhe ato që na presin”, ka nënvizuar profesori Belul Beqaj.