Çështja e numrave u konsumua në mandatin e kaluar

Aktuale July 15, 2017 - 14:34

Çështja e numrave është konsumuar mjaft edhe në mandatin e kaluar, prandaj ne duhet më shumë të thirremi në arsyen e veprimeve tona, duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe në logjikën e zhvillimit të shtetit.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, duke shtuar se edhe ato subjekte politike që po hezitojnë të jenë pjesë e qeverisë “Haradinaj” duhet ta bëjnë një gjë të tillë, siç thotë ai, ky i fundit e ka vizionin dhe ky është shansi që Kosova të prosperojë.

Zëri: Nëse eventualisht e bëni ekzekutivin me 61 vota. A do të jetë qeverisje stabile kjo, duke e ditur se para vetes keni një opozitë të fortë?

Isufi: Çështja e numrave është konsumuar mjaft edhe në mandatin e kaluar, prandaj ne duhet më shumë të thirremi në arsyen e veprimeve tona, duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe në logjikën e zhvillimit të shtetit. Krijimi i një qeverie stabile dhe dinamike, me në krye z. Ramush Haradinaj dhe një opozitë e fortë, e cila do të ishte korrigjuese e pushtetit, do t’i bënte mirë Kosovës, sepse Qeveria do të detyrohej të punojë në bazë të interesave të vendit, ose do të duhej të lëshonte rrugë nga presioni opozitar.

Ne e dimë se edhe partnerët në koalicion, edhe kundërshtarët politikë, e kanë një bindje që z. Haradinaj është një lider i përgjegjshëm dhe ka dhënë prova se u qëndron besnik parimeve të tij, madje edhe kur është në pyetje sakrifica personale, por edhe ka ditur t’i respektojë edhe partnerët, edhe kundërshtarët, duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë që ka zhvillimi i shtetit. Ne nuk duhet të jemi të bashkuar vetëm në dhimbje e në sakrifica, por më shumë duhet të bashkohemi në suksese e në fitore. Kësaj radhe duhet lënë anash zilitë e inatet, por duhet t’i bashkohemi projektit më të mirë për kohën në krye me z. Ramush Haradinaj.

Zëri: A do ta ndërrojë AAK-ja qëndrimin karshi Marrëveshjes për Demarkimin e Kufijve me Malin e Zi?

Isufi: Kur janë në pyetje interesat e vendit, të sovranitetit, integritetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës, ne do ta mbajmë të njëjtin qëndrim, duke kërkuar nga Qeveria malazeze që të rishikohet demarkacioni. Do të bazohemi në ekspertizë dhe do të kërkojmë konsensus për të gjitha çështjet nacionale, duke qenë transparentë edhe para institucioneve relevante dhe qytetarëve të Kosovës në bashkëpunim edhe me faktorin ndërkombëtar.