Konfirmohet takimi mes Haradinajt e Tahirit

Aktuale July 14, 2017 - 22:15

“Zeri.info” raportoi se nënkryetari i AKR-së dhe deputeti i zgjedhur, Labinot Tahiri sonte është takuar me kandidatin për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj.

E një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vet, Labinot Tahiri.

Sipas Tahirit, ky ka qenë një takim miqësor në shënimin e Ditës Kombëtare të Francës.

Ai deklaroi se është takuar edhe me Ardian Gjinin, Shpend Ahmetin dhe politikanë tjerë.

“Po, gjatë kësaj kohe unë jam takuar me Ramush Haradinajn, Ardian Gjinin e Shpend Ahmetin, pasi kemi qenë të ftuar nga ambasada e Francës dhe kemi qenë të gjithë aty”, ka thënë Tahiri.

I pyetur për temat që janë diskutuar në këtë takim, ai ka thënë se miqësisht nuk kanë mundur t’i shmangen as tematikave aktuale, siç është krijimi i institucioneve.

“Po kemi folur miqësisht se a po bëhet Qeveria, dhe si do të formohen institucionet pra tema aktuale”, shtoi ai për lajmi.net.

Nënkryetari i AKR-së edhe kësaj radhe nuk e mohoi dëshirën e tij që Haradinaj të bëhet kryeministër, por që përsëri nguli këmbë se ai do të zbatojë vendimet të cilat i merr kryesia e partisë.

“Unë dorën në zemër e pëlqej Ramush Haradinajn, dhe dua që ai të jetë kryeministër, por unë do të zbatoj vendimet të cilat i merr partia”, tha Tahiri.

Ai ka kërkuar nga të gjitha partitë që të gjejnë në zgjidhje për krijimin e institucioneve, dhe të mos ndodhë që të shkohet në zgjedhje.

Labinot Tahiri gjithashtu theksoi se do t’i qëndroj prapa Behgjet Pacollit, pasi ishte pikërisht ai që ia hapi rrugët e politikës.