Komunitetet joserbe kërkojnë ministri nga Haradinaj

Aktuale July 13, 2017 - 16:52

Veton Berisha, përfaqësuesi i komunitetit egjiptian tha se nga Ramush Haradinaj ka kërkuar drejtimin e një ministrie.

Pas takimeve të para dy ditëve të Ramush Haradinajt me komunitetet joserbe zyrtari i AAK-së  Avni Arifi tha se këto komunitete minoritet joserbe pranuan ta përkrahin kandidatin e PAN-it për kryeministër pa asnjë kusht.

Por përfaqësuesi i komunitetit egjiptian thotë se pardje ka kërkuar drejtimin e një ministrie dhe ka refuzuar pozitën e zëvendësministrit.

Kandidati për Kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj ka pritur pardje në takim përfaqësuesit e partive të komuniteteve joserbe, për të biseduar rreth krijimit të qeverisë.

Avni Arifi, anëtar i AAK-së i cili pardje gjatë ditës dha një konferencë për media në të cilën  tregoi arsyet e takimit, tha sot për KALLXO.com se të gjitha komunitetet janë pajtuar ta mbështesin Haradinajn për kryeministër.

“Të gjitha komunitet janë të gatshme për të bashkëpunuar dhe të gjitha komunitetet donë me qenë pjesë e qeverisë, të gjithë me i marrë obligimet e veta pa asnjë kusht”, tha Arifaj për KALLXO.com.

Megjithatë, kështu nuk tha për KALLXO.com kreu i Partisë Liberale Egjiptiane Veton Berisha, i cili ishte prezent pardje në takim me kandidatin për kryeministër Ramush Haradinaj.

Berisha thotë se “ka pasur” kushte për qeverisjen Haradinaj.

“Kërkesa ime është me drejtu një ministri edhe me marrë përgjegjësi edhe me qenë ministri që kontribuon për secilin, e në veçanti për zhvillimin e komunitetit egjiptian. Praktikisht na e ofrua një zëvendësministër, por unë e refuzova, e ktheva mbrapa. I thashë unë vlej ma shumë dhe i thashë që duhet me negociu ma ndryshe dhe nuk e pranova. Dy sene janë, pozitë ma të fuqishme në qeveri edhe një program qeveritar për zhvillimin e komunitetit tim”, tha Berisha për KALLXO.com.

Edhe në njërin nga emisionet e DebatPernime të emisionit “Jeta në Kosovë”, Berisha kishte thënë se janë të gatshëm të drejtojnë edhe ndonjë ministri.

Berisha deklaroi se nuk u diskutua konkretisht për ndonjë ministri, pasi që deklaroi se duhet të sigurohet që Haradinaj i ka numrat për krijimin e qeverisë.

“Nuk kemi bisedu për cilën ministri, por tash na kemi disa fusha si të arsimit, kulturës, punësimit, disa fusha që janë jetike për ne. Mbet që ne të vazhdojmë me diskutu edhe na jemi të interesuar t’i shohim numrat nëse janë të sigurt. Nuk jemi tu i pa numrat hala që janë të sigurt, kështu që mbetet e hapur, s’ka kurrgjë konkrete”, tha ndërmjet tjerash deputeti i zgjedhur egjiptian, Veton Berisha.

Ai shtoi se pardje ia konfirmuan Haradinajt se janë të gatshëm të hyjnë në qeveri, por duke marrë përgjegjësi, e jo veç sa për të ia bërë numrat.

Megjithatë, sa u përket numrave Arifi i AAK-së është i sigurt që do i kenë ata.

“Do të jetë shumicë solide ajo që do të përkrahë qeverinë Haradinaj”, tha shkurtimisht Avni Arifi.