Samiti i Triestes: Nis takimi i BE'së me liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor

Aktuale July 12, 2017 - 18:46

Ka nisur Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Trieste.

Kryeministri në detyrë Mustafa përfaqëson Kosovën dhe në tavolinën qendrore është ulur përballë kancelares gjermane Merkel dhe ka në krah të djathtë presidentin francez, Emmanuel Macron.

Samiti i Ballkanit Perëndimor 2017, do të jetë një mundësi për të diskutuar rrugët konkrete për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe për të çuar më tej procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Samiti do të shërbejë si një rast i rëndësishëm për të punuar së bashku në forcimin e mundësive konkrete duke nxitur bashkëpunimin rajonal me qëllim të zhvillimit të shoqërive gjithëpërfshirëse, qeverisjes së mirë dhe ekonomive vibrante, duke avancuar më tej perspektivën e integrimit të Bashkimit Evropian në rajon.

Diskutimet do të fokusohen në tri fusha kyçe të bashkëpunimit rajonal lidhshmëria, integrimi rajonal ekonomik/zhvillimi i sektorit privat dhe kontaktet mes njerëzve.
Gjatë samitit, Komisioni Evropian do të prezantojë fonde të reja të konsiderueshme si pjesë e “pakos vjetore të lidhshmërisë”.

Për më tepër, partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të nënshkruajnë Traktatin e Komunitetit të Transportit, i cili do të ndihmojë në integrimin e rrjeteve të transportit në rajon dhe me BE-në dhe do të udhëheqë masat reformuese në sektorin e transportit.