E refuzojnë Haradinajn

Aktuale July 11, 2017 - 08:24

Kandidati për kryeministër i koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma), Ramush Haradinaj, u ka dërguar ftesë dy ish-bashkëpunëtorëve të VLAN-it, liderit të “Vetëvendosjes” Visar Ymerit dhe të parit të LDK-së Isa Mustafës, për t’u takuar ditën e sotme. Haradinaj me këtë rast ka thënë se do të angazhohet të diskutojë edhe me pjesëtarët e Listës Serbe, si dhe ata të komuniteteve të tjera pakicë. E ndonëse kandidati i PAN-it është zotuar se Qeverinë do ta formojë në afat rekord, dy të ftuarit, Ymeri e Mustafa, kanë refuzuar kategorikisht ftesën e Haradinajt. Ata madje kanë thënë se do të pranonin të bashkëpunonin me liderin e AAK-së vetëm nëse ky do të hiqte dorë nga koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se PAN-i aktualisht nuk i ka votat për ta formuar Qeverinë. Sipas tyre, edhe në ditët në vijim Haradinaj do ta ketë mjaft të vështirë të veprojë në këtë drejtim. 

Haradinaj fton Ymerin e Mustafën të takohen sot

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se u ka dërguar ftesë dy partive të tjera “Vetëvendosjes” e LDK-së për një takim për ditën e sotme, me qëllim që deri të hënën që vjen të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dhe menjëherë pas saj ajo për formimin e Qeverisë.

“U kam propozuar takim për nesër me LVV-në, me zotin Visar Ymeri dhe me kolegët e Kryesisë. Kam propozuar takim me LDK-në dhe i kam kërkuar me shkresë zotit Mustafa e kolegëve të LDK-së nesër. Kam propozuar që takimi të mbahet në ndërtesën e Parlamentit, në zyrat e Grupit Parlamentar të AAK-së, ose të LVV-së, ose të LDK-së. Njëjtë do të konsultohem dhe me Listën Serbe dhe me komunitetet tjera joserbe”, ka thënë ai gjatë ditës së djeshme.

Haradinaj me këtë rast është zotuar se Qeveria e ardhshme do të bëhet në afat rekord.

“Ju siguroj që Qeverinë do ta kemi në afat rekord. Si i nominuar përparësi i jap një koalicioni sa më të gjerë”, ka potencuar ai.

Ymeri: Takohemi me Haradinajn vetëm nëse del nga PAN-i

Kurse lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, i është kundërpërgjigjur ftesës së kandidatit të PAN-it për kryeministër, me ç’rast ka thënë se me Haradinajn mund të takohet vetëm kur ky të largohet nga PAN-i.

“Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK-së dhe pasi të dalë prej PAN-it”, ka thënë Ymeri.

Ndërkohë edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, bëri të ditur se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Haradinajt. Kjo pasi që, siç potencoi ai, LDK-ja ka thënë njëherë se nuk do të bëjë koalicion në asnjë mënyrë me PDK-në.

Tahiri: Haradinaj nuk i ka votat tash

Nga ana tjetër, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se Ramush Haradinaj aktualisht nuk i ka votat për t’u bërë kryeministër, porse një gjë e tillë duhet të shihet edhe në ditën e votimit.

“Ramush Haradinaj tek pas konstituimit të Kuvendit mbetet të propozohet zyrtarisht nga PAN-i dhe të emërohet mandatar nga presidenti dhe t’i dërgohet Kuvendit. Se a do t’i ketë së paku 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur Qeveria mbetet të shihet ditën e votimit, se tash nuk i ka”, ka deklaruar ai.

E mënyra se si koalicioni PAN do t’i sigurojë numrat, sipas Tahirit, do të varet prej ofertave dhe prej kompromiseve.

“Si do t’i sigurojë numrat PAN-i me koalicion apo me kontrabandim të deputetëve, kjo varet prej ofertës, prej mundësive dhe prej kompromisit. Nëse arrihet marrëveshja paraprake LVV-LAA, atëherë Haradinaj nuk i ka votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeministër dhe e dorëzon mandatin ose rrëzohet në votim”, ka nënvizuar ai.

Kurse, profesori universitar Dashnim Ismajli ka vlerësuar se Haradinaj nuk e ka aspak të lehtë që t’i sigurojë numrat për formimin e Qeverisë së ardhshme. Sipas tij, pikërisht për shkak të kësaj do të zvarritet procesi.

“Mendoj se z. Haradinaj nuk e ka të lehtë bërjen e numrave përderisa kemi edhe brenda këtij koalicioni zëra kundërshtues të kësaj formule dhe kjo do të jetë shkaku kryesor që do ta stërzgjatë këtë proces, mirëpo edhe sikur numrat do të arrihen nëpërmjet pazareve të fshehta dhe të dëmshme unë mendoj se ky model i kësaj Qeverie nuk do të jetë i qëndrueshëm dhe në sfidat e ardhshme qysh në momentin e parë do të pësojë shpërbërjen e vet Qeverisë”, ka potencuar Ismajli.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka thënë se opsioni më i mirë i mundshëm është krijimi i një Qeverie uniteti, pa Partinë Demokratike të Kosovës.

“Unë besoj që zgjidhja më e mirë dhe më e domosdoshme në realitetin e vështirë dhe të komplikuar që gjendet vendi është një Qeveri uniteti pa PDK-në. Duhet kohë dhe një tronditje e brendshme që PDK-ja të çlirohet nga vetvetja dhe kapja që asaj i është bërë nga një grusht njerëzish, që është klani ‘Pronto’”, është shprehur Abazi.

Selmanaj: Nga java e ardhshme Kosova do ta ketë Qeverinë

Por pavarësisht këtyre, Rasim Selmanaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së, njëherësh deputet i sapozgjedhur i kësaj partie, është zotuar se nga java e ardhshme do të formohet Qeveria e re e Kosovës.

“Pres që deputetët të reflektojnë përtej subjektit politik duke e dhënë votën në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. Jam i bindur dhe besoj se nga java e ardhshme Kosova do ta ketë qeverinë ‘Haradinaj’”, ka deklaruar ai.

Selmanaj më tej është shprehur optimist se LDK-ja do ta përkrahë Haradinajn për kryeministër.

“Në aktualitetin e krijuar pas zgjedhjeve, pjesëmarrja e LDK-së do të ishte e natyrshme dhe në interes të zhvillimeve që e presin Kosovën. Një vendim i LDK-së për ta përkrahur qeverinë ‘Haradinaj’ është një vazhdim i traditës së vendosur nga presidenti Ibrahim Rugova. Unë dua të besoj se LDK-ja do të reflektojë në këtë drejtim”, është shprehur ai më tej./Zeri/