Ymeri i kundërpërgjigjet ftesës së Haradinajt: Vetëm kur del nga PAN-i mund të takohemi

Aktuale July 10, 2017 - 15:30

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i është kundërpërgjigjur ftesës së kandidatit të PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj, i cili ftoi Vetëvendosjen dhe LDK-në në takim për të bashkëbiseduar, raporton Zeri.info.

Ymeri me këtë rast, ka thënë se me Haradinajn mund të takohet vetëm kur ky i fundit të largohet nga PAN-i.

“Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK dhe pasi të dalë prej PAN-it”, ka thënë ai.

Më tej, Ymeri ka thënë se prej letrës së Haradinajt nuk bëhet fare i qartë qëllimi i takimit.

“Sot kam pranuar një letër prej Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt. Prej letrës së tij, kuptohet që z. Haradinaj dëshiron takim, por nuk është i qartë qëllimi i këtij takimi. Nëse është fjala për koordinimin e mbledhjes së parë të Kuvendit ky nuk është roli e as detyra e z. Haradinaj. Duke qenë vetëm njëri prej deputetëve të legjislaturës së gjashtë Z. Haradinaj nuk e ka rolin e koordinimit dhe konsultimit per mbledhjen e pare”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, kandidati për kryeminsitër i koalicionit më të madh PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, u ka bërë ftesë publike dy partive të tjera, VV e LDK për t’u takuar e bashkëbiseduar. Ai një gjë të tillë e ka ëbrë të ditur në një konferencë pas mbledhjes së sotme të kryesisë së AAK-së./ZERI