SHBA-ja dhe Gjermania: Bashkëpunoni me Specialen!

Aktuale July 07, 2017 - 08:03

Vendimet që dalin nga proceset gjyqësore duhet të pranohen nga një shtet ligjor. Kështu i ka thënë gazetës “Zëri” në një prononcim të saj ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se presin nga të gjithë individët dhe nga institucionet e Kosovës që të bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale deri në momentin e sjelljes së vendimeve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania presin që individët dhe institucionet kosovare të bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale. SHBA-ja ka konfirmuar edhe një herë edhe për gazetën “Zëri” mbështetjen e plotë rreth funksionimit të Dhomave të Specializuara brenda mandatit që ka dhe në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Ndërkohë, ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets në një prononcim të saj dhënë gazetës ka thënë se vendimet që dalin nga proceset gjyqësore duhet të pranohen nga një shtet ligjor.

Sipas saj, nisja e punës së kësaj Gjykate nuk ka nevojë ta gjejë Kosovën me institucione të formuara, pasi do të akuzohen individë dhe jo bartës të funksioneve apo të pozitave shtetërore. Në anën tjetër, partitë politike në Kosovë kanë thënë se pavarësisht asaj a pajtohen apo jo me formimin e kësaj Gjykate dhe të punës e saj tani ajo ka bazë juridike dhe si e tillë do të respektohet.

SHBA-ja: Institucionet e Kosovës të bashkëpunojnë me Gjykatën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga institucionet kosovare që të bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale deri në momentin e sjelljes së vendimeve apo të veprimeve të kërkuara nga Gjykata. Sipas zëdhënëses së Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Jessie Kuykendal, SHBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar në funksionimin e suksesshëm të Dhomave të Specializuara. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbesin plotësisht të përkushtuara në funksionimin e suksesshëm të Dhomave të Specializuara brenda mandatit që ka dhe në përputhshmëri me Rregullat e Procedurës dhe të Provave, të cilat së fundmi janë aprovuar dhe janë vërtetuar të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Kuykendal. Më tutje ajo ka thënë se SHBA-ja pret bashkëpunim të plotë në individët dhe në institucionet kosovare me Gjykatën Speciale. “Presim që të gjithë individët dhe institucionet në Kosovë të bashkëpunojnë me Gjykatën deri në momentin e sjelljes së vendimeve apo të veprimeve të kërkuara nga ajo”, ka përfunduar zëdhënësja e SHBA-së, Jessie Kuykendal.

Viets: Një shtet ligjor duhet t’i pranojë vendimet e Gjykatës

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, në një prononcim të saj dhënë gazetës, ka thënë se vendimet që dalin nga proceset gjyqësore duhet të pranohen nga një shtet ligjor. Sipas saj, nisja e punës së kësaj Gjykate nuk ka nevojë ta gjejë Kosovën me institucione të formuara, pasi do të akuzohen individë dhe jo bartës të funksioneve apo të pozitave shtetërore. “Jo. Do të akuzohen individë dhe jo bartës të funksioneve apo të pozitave shtetërore”, ka thënë Viets për gazetën “Zëri”.

E pyetur se si duhet të menaxhohet situata pas nisjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale për të dyshuarit në Kosovë, Viets ka thënë se ky është vetëm një proces gjyqësor, në përfundim të të cilit merret një vendim i plotfuqishëm nga ana e Gjykatës lidhur me pretendimet e një akuze, andaj vendimet që dalin nga kjo Gjykatë duhet të respektohen nga një shtet ligjor. “Nuk ju kuptoj çfarë mendoni me pyetjen rreth ‘situatës’? Ngritja e akuzave paraqet fillimin e një procesi gjyqësor, në përfundim të të cilit merret një vendim i plotfuqishëm nga ana e Gjykatës lidhur me pretendimet e një aktakuze. Ky vendim mund të jetë edhe lirim. Vendimet që dalin nga proceset gjyqësore duhet të pranohen nga një shtet ligjor”, ka thënë Viets. Në fund Viets nuk ka dashur të komentojë nëse vendi rrezikon ndonjë destabilitet politik pas fillimit të punës së Gjykatës. Sipas saj, këtë duhet ta gjykojnë kosovarët më shumë sesa ajo. “Këtë mund ta gjykoni ju si kosovarë shumë më mirë sesa unë”, ka thënë Viets.

Topalli: Kjo çështje ka bazë juridike dhe implikime ndërkombëtare

Faton Topalli, nga lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë për gazetën se kjo parti ka paraqitur qëndrimet e saj gjatë seancave plenare, në të cilat është vendosur për Gjykatën Speciale. Derisa PDK-ja dhe LDK-ja kanë votuar për themelimin e saj, lëvizja “Vetëvendosje” ka kërkuar që rastet e krimeve të supozuara të trajtohen nga gjykatat vendore për ta ruajtur kështu sovranitetin juridik të vendit. “Siç e dini kjo çështje është vendosur konform raportit të atëhershëm të forcave. Tani kjo çështje ka bazë juridike dhe implikime ndërkombëtare. Akterët përgjegjës do të veprojnë konform ligjit dhe varësisht nga problemet që shtrohen. Mendoj që nuk mund të paragjykohen veprimet në bazë të shtruarjes së hipotezave. Kur të kemi situatë konkrete, do të kemi edhe veprime konkrete gjithnjë duke u bazuar në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi”. Topalli ka thënë se dialogu, përfshirja e përgjithshme janë faktorë që kanë ndikim të madh në stabilitetin politik të një vendi. “Ne kemi qenë si lëvizje ‘Vetëvendosje’ si në të kaluarën, ashtu edhe tani për një dialog të mirëfilltë. Mendoj që kjo krijon kushte të mira për një stabilitet politik të qëndrueshëm për të cilin ne besojmë”, ka thënë Topalli.

Ndërsa Agim Veliu, nga LDK-ja, ka thënë se kjo Gjykatë është themeluar ashtu siç ka vendosur Kuvendi dhe LDK-ja vetëm se do ta respektojë këtë vendim. “Kjo Gjykatë është themeluar, ka juridiksionin, fushëveprimin”, ka thënë Veliu për gazetën sipas të cilit LDK-ja nuk e sheh të arsyeshme të japë ndonjë deklaratë tjetër lidhur me Specialen përpos asaj që kjo Gjykatë është themeluar me votim të deputetëve të Republikës dhe, sipas tij, ka rregullat e saj që janë aprovuar.  Një subjekt politik nuk ka pse të japë sot një deklaratë rreth kësaj Gjykate, që është ligj dhe që është aprovuar nga Kuvendi, përfundoi Veliu.