Konstituimi i Kuvendit, brenda një muaji

Aktuale July 03, 2017 - 09:16

Mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet brenda një muaji pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Certifikimi nga KQZ-ja do të bëhet pas shqyrtimit të 65 ankesave të partive nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili për një gjë të tillë do të dalë me vendim gjatë ditës së sotme.

Me këtë rast, sipas ekspertëve të çështjeve kushtetuese, presidenti i vendit Hashim Thaçi është i obliguar që brenda 30 ditëve ta caktojë mbledhjen konstituive. E në rast se Thaçi nuk e bën një gjë të tillë Kuvendi gëzon të drejtën absolute që ta thërrasë vetë mbledhjen për seancën e parë konstituive. Sipas tyre, kjo seancë duhet të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i legjislaturës së re, që sipas rezultateve të KQZ-së, figuron të jetë Adem Mikullovci nga “Vetëvendosja”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e tri blloqeve, koalicionit PDK-AAK-Nisma, koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe lëvizjes “Vetëvendosje”, janë shprehur optimistë se nuk do të ketë vonesa sa i përket konstituimit të Kuvendit.

Sot vendimi për ankesat e partive

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) sot do të dalë me vendim përfundimtar për ankesat e parashtruara nga partitë politike në Kosovë pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Këtë e ka bërë të ditur për “Zërin” Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-it, i cili ka thënë se një gjë e tillë do të bëhet publike deri në orën 14:00 më së largu.

“PZAP-i do të vendosë lidhur me ankesat e parashtruara në PZAP nga kandidatët për deputetë brenda afatit ligjor, respektivisht deri nesër në orën 14:00”, ka deklaruar Desku gjatë ditës së djeshme. Desku më tej ka njoftuar se PZAP-i ka pranuar gjithsej 65 ankesa nga subjektet politike. “Numri i ankesave të parashtruara në PZAP-i nga kandidatët për deputetë të subjekteve politike pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017 nga KQZ-ja është 65 ankesa”, ka potencuar ai.

E pas dorëzimit të vendimit të PZAP-it në KQZ pritet të bëhet edhe certifikimi i rezultateve nga kjo e fundit.

Cakolli: Përgatitjet për mbledhjen e parë kryhen nga Veseli

Nga ana tjetër Eugen Cakolli, mbikëqyrës i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se seanca konstituive duhet të thirret më së largu një muaj pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja.

“Në bazë të legjislacionit në fuqi, mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës duhet të thirret brenda një afati prej 30 ditësh nga shpallja e rezultateve përfundimtare. Kjo mbledhje thirret nga presidenti i Kosovës brenda afatit të përcaktuar”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Cakolli më tej ka bërë të ditur se përgatitjet për mbledhjen e parë kryhen nga kryeparlamentari në largim, Kadri Veseli.

“Përgatitjet teknike për mbledhjen e parë të legjislaturës së re duhet të kryhen nga Kadri Veseli si kryetar i legjislaturës së kaluar. Veseli, në koordinim me kryetarët e subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend, duhet ta përpilojnë rendin e ditës dhe t’i caktojë ulëset për subjektet në bazë të fuqisë politike së fituar në zgjedhje. Pjesë e rendit të ditës duhet të jetë krijimi i një komisioni të përkohshëm për verifikimin e kuorumit, mandateve dhe po ashtu zgjedhjen e kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve të rinj të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës”, ka sqaruar Cakolli.

Ndërkohë, pas zgjedhjes së kryetarit dhe të nënkryetarëve, si dhe verifikimit të mandateve, siç ka potencuar ai, Kuvendi cilësohet i konstituuar.

Baraliu: Nëse Thaçi s’e thërret mbledhjen, duhet ta bëjë Kuvendi

Kurse eksperti i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu ka thënë se nëse presidenti nuk e thërret mbledhjen konstituive, atëherë një gjë të tillë duhet ta bëjë vetë Kuvendi i Kosovës.

“Mbledhja konstituive nënkupton obligimin e presidentit që ai ta thërrasë. Nëse ai nuk e thërret, atëherë mundet Kuvendi që edhe vetë të konstituohet nga strukturat e mëhershme të Kryesisë dhe të kryetarit. E thërrasin formalisht dhe pastaj në seancën e parë sipas Nenit 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit e udhëheq deputeti më i vjetër nga këta deputetë që tashmë janë të verifikuar në rezultatet e fundit të KQZ-së”, ka potencuar ai.

Baraliu më tej ka thënë se në këtë mbledhje të drejtën për ta propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi e ka grupi më i madh parlamentar.

“Tri partitë më të mëdha kanë të drejtë ta propozojnë nga një nënkryetar, pastaj partitë e vogla. Kjo është dhe zgjidhet kryetari i Kuvendit pastaj. Kryetarin e Kuvendit kanë të drejtë, sipas Kushtetutës, ta propozojnë ata që kanë grupin më të madh parlamentar dhe që kanë vota më shumë dhe pastaj mund të bëhet mandatimi i Qeverisë”, është shprehur ai.

Me këtë rast Baraliu ka konsideruar se këto veprime i ka në dorë pikërisht koalicioni PAN, i cili sipas tij, do të duhej ta përshpejtonte një çështje të tillë, në mënyrë që ta kërkojë mandatimin e Qeverisë.

PAN-i, LVV-ja, LAA-ja, optimistë se s’do të ketë vonesa në konstituimin e Kuvendit

Nga ana tjetër, anëtari i Kryesisë së PDK-së Xhavit Haliti (nga koalicioni PAN)  është shprehur optimist se nuk do të ketë vonesa në mbajtjen e seancës konstituive nga koha sa parasheh Kushtetuta dhe ligji.

Ndërkohë ka thënë se seanca e parë do të mbahet pas shqyrtimit të ankesave, varësisht prej asaj se kur e cakton Kryesia në largim.

“Duhet të shqyrtohen ankesat që janë bërë, kur të përfundojnë duhet të mbahet seanca, varësisht se kur e cakton Kryesia e vjetër seancën”, ka deklaruar Haliti për “Zërin”.  

Ndërkaq zëdhënësi i lëvizjes “Vetëvendosje”, Shkodran Hoti, ka vlerësuar se seanca konstituive duhet të mbahet sa më shpejt që është e mundur.

“E mira do të ishte të mos kishte vonesa dhe ne presim të mos ketë vonesa, por tash kjo nuk është në dorën tonë. Ne konsiderojmë që do të ishte e rëndësishme dhe e udhës që të thirrej seanca sa më shpejt, të konsitituohet Kuvendi sa më parë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë ka thënë se seanca në fjalë duhet të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër Adem Mikullovci (LVV), si dhe deputetja më e re e legjislaturës Teuta Rugova (LDK).

Kurse nënkryetari i AKR-së Agim Bahtiri (nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa) ka thënë se ligji dhe Kushtetuta duhet të respektohen në plotësi sa i përket mbajtjes së seancës së parë konstituive.

“Ne nuk presim të ketë vonesa, do të shkojmë, ligji dhe Kushtetuta është në fuqi dhe duhet të zbatohet pikë për pikë”, është shprehur Bahtiri.