'Nëse vritet njëri duke lexuar deklaratën, do të vazhdonte tjetri'

Aktuale July 02, 2017 - 14:42

Sot bëhen 27 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.

Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. E për leximin e Deklaratës Kushtetuese të Kosovës, delegatët shqiptarë ishin gati të jepnin jetët e tyre, raporton Insajderi.

Kështu kishte rrëfyer dy vite më parë Adem Mikullovci, ish-delegat i Kuvendit krahinor të Kosovës, i cili kishte thënë se delegatët e atij Kuvendi kanë qenë të kërcënuar.

Mikullovci ka treguar se në atë kohë delegatët i kishin 500 mijë nënshkrime të shqiptarëve të rinj që kërkonin që Kosova të jetë republikë. Sipas tij, delegatët e kishin të vështirë të merrnin këtë vendim, por vendosën ta çonin deri në fund këtë rrugëtim, ndonëse thekson se ishin të kërcënuar nga tytat e stajperistëve serbë.

“Ishim të vendosur deri në vdekje: nëse snajperisti e vret Muharrem Shabanin duke lexu deklaratën, duhet me vazhdu tjetri, tjetri, tjetri… deri në fund që deklarata të lexohet”, tregoi ai, dy vite më parë në një intervistë me Rrokum TV.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave.