Krasniqi: Dialogu nuk mund t'i besohet Thaçit e Vuçiqit

Aktuale July 01, 2017 - 17:32

Ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi duke folur për dialogu në nivel presidentësh, thotë se këtë nuk mund t'ia besojë Thaçit e Vuçiqit. Sipas tij, bisedimet duhet të lihen në duar të sigurta. Prandaj Krasniqi thekson se është i nevojshëm konsensusi nacional.

Shkrimi i Jakup Krasniqit:

KËTA PRESIDENTA NUK SJELLIN NORMALIZIM TË MARËDHËNJEVE KOSOVË - SERBI

Nga Jakup Krasniqi

Bisedime për normalizim të marrëdhënieve, po gjithsesi, por jo bisedime që prodhojnë situata konflikti, të cilat gjëra i kemi parë goxha shpesh viteve të fundit. Kujtoni: Trenin "nacionalist" e murin përtej urës, a nuk ishin e mbeten dëshmi të gjalla të një konflikti në përmasa të paparashikueshme? Pasta kujtoni : "marrëveshjet" për KEK-un e Telefonin mobile, me të cilat marrëveshje Kosova humbë miliona euro,të cilat po i paguan shumica shqiptare?! Pastaj, kujtoni marrëveshjen për  Bashkësinë e komunave me shumicë serbe etj. Ata që i kanë krijuar këto mosmarrëveshje që kanë prodhuar gjendje lufte, nuk mund ta kapërcejnë veten e tyre, që t'na prodhojnë normalizim të ri të marrëdhënieve ndërshtetërore?!

Gjatë gjashtë- shtatë viteve e në vazhdimësi u premtuan: liberalizimi, integrimi në BE dhe në NATO. Asnjëra nuk ndodhi, madje dhe liberalizimi i vizave që ishte puna më e lehtë, nuk po realizohet dot. Natyrisht që Kosova nuk ka alternativë tjetër, çështje është si ta realizojmë alternativën e vetme?

A mund t'ju besohet më atyre që në vend të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë- Serbi, krijuan situata kërcënimi e konflikti? Unë nuk mund t'ju besoj. Bisedimet duhet të lihen në duar të sigurta. Prandaj është i nevojshëm konsensusi nacional.

Gjithashtu, Po e madhe anëtarësimit në BE e NATO, por kjo nuk mund t'i besohet as mashtrimit të radhës se, bisedimet mes Thaçit e Vuçiqit në Bruksel do të na sjellin "Anëtarësimin në BE e NATO"! Nuk duhet ecur rrugës përfundimi i secilës dihet paraprakisht. Gjashtë vitet e bisedimeve në Bruksel, ishin gjashtë vitet e dështimeve në bisedimet politike, ishin vite të dështimeve edhe në politikat e brendshme qeverisëse në te dy vendet.

Shkurt: Këta president nuk mund t'i normalizojnë marrëdhëniet Kosovë - Serbi. Kot po mundohen zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian. Pritja është e kot!

Publiku ynë ka nevojë për veprime racionale e të besueshme, mjaftë më mashtrime lakuriqe!