Andin Hoti: Kosova nuk ka kohë për të humbur

Aktuale July 01, 2017 - 14:19

Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Andin Hoti ka kërkuar nga liderët politik që të bëjnë zgjidhje politike dhe të mos lejojnë krizë.

Ai në facebook ka shkruar se Asociacioni e Demarkacioni nuk janë çështje të partive politike, por të ardhmes së Kosovës.

Lexo postimin e plotë:

Për udhëheqësit e subjekteve politike:

MOS HUMBNI KOHË

Të rinjtë po largohen sepse s’ka vende pune dhe e kanë humbur shpresën, më të vjetrit rropaten me zgjatimet e një krize morale që injorantët e hajnat i sheh si të zotë, ndërsa politikanët udhëhiqen nga teke inatçore e luftë primitive kundër njëri tjetrit. 
Nuk besoj se është politikë dhe qasje e kalkuluar për interesa të qytetarëve cilësimi, denoncimi, refuzimi absolutist i vullnetit të rreth 34 përqind të votuesve të vendit.
Një llogaritje e tillë politikëbërëse është për keqardhje, sepse qëndrime dhe diskurs të ngjashëm politik s’gjen në asnjë vend Evropian.

Jam zotuar gjatë fushatës që t’i përfaqësoj sa më denjësisht interesat e të rinjve, të qytetarëve që kërkojnë një Kosovë më të zhvilluar, më të avancuar drejt Integrimeve Europiane dhe jo inferiore ndaj vendeve të tjera.
Si njëri nga të zgjedhurit e rinj në Kuvendin e Kosovës, jam i bindur se Kosova ka nevojë urgjente për institucione të forta, të qëndrueshme dhe përfaqësuese.

Jam i bindur se qytetarët e kanë ‘kurdisur’ rezultatin për të imponuar zgjidhje që kërkojnë reflektim nga ushëheqësit e subjekteve, që kërkojnë tejkalim të mendësisë primitive refuzuese, që kërkojnë bashkimin e tyre për interesat madhore të vendit.

Demarkacioni nuk është çështje numrash në Kuvend, por e koncensusit politik, Asociacioni nuk është çështje e PDK-së, PAN-it apo LDK-së, por e të gjithëve, ashtu siç është edhe Ushtria e Kosovës si një element i domosdoshëm i shtetndërtimit.
Procesi i Gjykatës Speciale nuk është dhe s’duhet të jetë sfidë e një apo dy partive, sepse është sfidë për vendin dhe vlerat e saj më sublime, kurse luftimi i krimit e korrupsionit nuk është thjesht interes partiak i Vetëvendosjes, LDK-së e ndonjë tjetri, por i të gjithë qytetarëve dhe rrugës tonë drejt Evropës.

Republika e Kosovës ka nevojë të përshpejtojë hapat dhe të qëndrojë vertikalisht në orientimin e saj Perëndimor dhe aleancën me SHBA-të, prandaj politikanët duhet t’i shtrohen kësaj llogarie.
Nuk duhet të lejojmë të sillemi sipas logjikës “për inat të resë më vdektë djali”, prandaj dua të besoj se është koha që të mos humbim kohë.
Liderët e subjekteve politike duhet t’i nënshtrohen sovranit, duhet të ulen e të bëjnë zgjidhje sipas vullnetit të tij.

Si njëri nga të rinjtë e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, s’dua t’i shoh edhe më tutje liderët tanë ‘aziatikë’. Kosova s’ka më kohë për të humbur dhe liderët politik duhet të dëshmojnë Evropianizimin e tyre për hir të qytetarëve, për hir të rinisë tonë Evropiane.