'Parku amerikan i lirisë', çerdhe e qenve, maceve e gjarpërinjve

Aktuale July 01, 2017 - 08:37

 Qyteti i Skenderajt ka tri parqe të bukura për të cilët janë investuar shuma të mëdha të mjeteve. Njëri prej tyre është emërtuar “Parku amerikan i lirisë” në shenjë të kontributit të SHBA-së dhënë popullit të Kosovës, por pikërisht ai është bërë kërcënim serioz nga qentë endacakë e gjarpërinjtë që mbështillen nëpër shkurre e grumbuj bërlloku që kanë bllokuar edhe rrugicat, shkruan sot, gazeta Zeri.

“Paku amerikan i lirisë”, i emërtuar me një vendim të Komunës së Skenderajt në shenjë të kontributit të SHBA-së për lirinë e Kosovës, është bërë kërcënim i madh për qytetarët e Skenderajt, të cilët marrin guximin për të shkuar deri atje për të pushuar e për t’u relaksuar në këto ditë të nxehta.

Qyteti i Skenderajt ka edhe dy parqe të tjera, të cilët janë emërtuar me emra të figurave historike të Skenderajt dhe të Drenicës, “Idriz Rrecaj”, përkatësisht “Shaban Polluzha”, shkruan gazeta Zeri

Derisa parku në qendër të qytetit të Skenderajt, i cili mban emrin e komandantit Shaban Polluzha dhe ai që shtrihet përgjatë rrjedhës së lumit Klina e që mban emrin e veprimtarit të shquar të Drenicës, themeluesit dhe kryetarit të parë të LDK-së, Idriz Rrecaj, mirëmbahen në saje të dy projekteve që Komuna ka realizuar, “Parku amerikan i paqes” nuk mirëmbahet fare dhe i është lënë vetvetes.

Shkurret që janë rritur, grumbuj të bërllokut, nëpër të cilët shkarravisin qentë endacakë dhe nga të cilët dalin edhe gjarpërinj e mace, janë bërë rrezik për qytetarët që shkojnë atje. Një qytetar i ka thënë “Zërit”, të enjten, se kishte shkuar gjatë ditës së mërkurë me nipin e tij të vogël për të shëtitur dhe për të pushuar nën hije të druve pisha, nga të cilët nuk duket as qielli dhe për një moment në rrugicën e vetme papritmas nga një shkurre i kishte dale “në pritë” një gjarpër. “Ishte tepër trishtuese, edhe unë, edhe gjarpri këqyrnim me ikë prej njëri-tjetrit. Unë frikohem shumë nga gjarpërinjtë, sepse kur kam qenë i vogël më ka pas hëngër një gjarpër. Gati jam ra pa shpirt, mezi kam dalë prej atij mali, që më fare s’i ngjan parkut. Për të nuk kujdeset askush. Në fillim ishte shumë mirë, por tani gjithçka ka ndryshuar. Me e lëshu rrugicën nuk mundesh me hy më thellë, sepse është mbyllur prej shkurreve, therrave, e prej çka jo. Bërllok në të gjitha anët, qentë e uritur të vërsulen edhe zëri i maceve të trishton. Shumë keq”, ka thënë H. G., njëri prej qytetarëve të Skenderajt që e pëlqen tej mase ambientin relaksues të parkut.

Ndërkaq një qytetar tjetër, Adem Meta, i tha “Zërit” gjithashtu të enjten se për çdo ditë del në këtë park në orët e hershme të mëngjesit për të lëvizur dhe për të marrë ajër. Meta thotë se “Parku amerikan i lirisë” nuk mirëmbahet fare, por fajëson edhe qytetarët që nuk kanë kujdes me mbeturinat. “Edhe qytetarët kanë faj, sepse i hedhin mbeturinat kudo, ato shportat e bërllokut që ishin vendosur janë hequr. Rrugicës së këtij parku është vështirë për të kaluar, sepse e kanë mbuluar shkurret, bërllokun e grumbulluar në shumë vende e kanë hequr tani së fundi katër profesorë, që tani janë në pension e që janë të rregullt për t’i krijuar vetës një ambient të shëndoshë. Ata në një mëngjes kanë dalë me thasë dhe i kanë mbledhur të gjitha mbeturinat nëpër park, por kjo nuk mjafton, sepse ai duhet ta ketë një mirëmbajtës të përhershëm, siç është përkujdesja për dy parqet tjera”, ka thënë Meta. E ndërkaq zëdhënësi i Komunës së Skenderaj, Hajriz Koci, ka pranuar se momentalisht “Parku amerikan i lirisë” nuk ka mirëmbajtës. Ka pranuar gjithashtu se atje mund të ketë edhe gjarpërinj. “E kemi pasur një person të angazhuar me kontratë në vepër, i cili e mirëmbante këtë park, por tani nuk ka. Ka edhe gjarpërinj, sepse sivjet ka shumë gjarpërinj gjithkund, e sigurisht se ka edhe aty, por them se nuk ka mirëmbajtës aktualisht”, ka thënë Koci, pa treguar se çfarë do të bëjë Komuna për ta ndryshuar situatën tepër të rendë të “Parkut amerikan të lirisë”. 

Ndryshe, “Parku amerikan i lirisë”, i emërtuar unanimisht nga këshilltarët komunalë të Skenderajt, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e madh të SHBA-së dhënë popullit të Kosovës, është përuruar në vitin 2014. Përurimi ishte bërë në 13-vjetorin e sulmeve terroriste mbi kullat binjake në SHBA dhe në përkujtim të viktimave të 11 shtatorit të vitit 2001. Nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, pati thënë se “Parku amerikan i lirisë” ka vlerë të madhe për qytetin e Skenderajt dhe përballë kompleksit memorial “Adem Jashari” përbën binomin e vlerave unikale njerëzore.

“Kjo kurorë e bukur e qytetit tonë tani e tutje me krenari do ta mbajë një emër po aq të bukur, që në vetvete sintetizon lirinë, humanizmin dhe miqësinë, reflekton një akt mirënjohjeje ndaj një kombi, i cili na u gjend pranë në momentet më të vështira ekzistenciale, atëherë kur rrezikohej qenia jonë kombëtare”, kishte thënë nënkryetari Nura, duke shtuar se ndjenja e mirënjohjes si akt është vlerë përmes të cilës po materializohet memoria historike dhe po mbetet një testament kujtese për brezat e ardhshëm, se kush ishte pjesë e lirisë sonë kolektive. E ndërkaq përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Michael Wilingham, pati thënë se ndihet tepër i nderuar me atë që kishte bërë Komuna e Skenderajt, duke emërtuar njërin prej parqeve më të bukura me emrin “Parku amerikan i lirisë”.

Komuna e Skenderajt ka investuar 88 mijë euro për ta rregulluar parkun, sipas projektit të hartuar, por punët sipas projektit nuk ishin kryer asnjëherë. Sipas projektit ka qenë dashur të përfshihet edhe pjesa “tek varret ortodokse”, por projekt nuk ka shkuar deri atje. As rrethojat (“gilindera”) që ishin paraparë me projekt nuk janë vendosur asnjëherë.