Kurti: Me qeverinë tonë do ta lehtësojmë procesin e votimit nga mërgata

Aktuale June 29, 2017 - 16:23

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka falënderuar mërgimtarët që kanë votuar këtë lëvizje, raporton “Zeri.info”.

Ai ka thënë se mbase mund të jenë pak vota në total mirëpo, siç u shpreh Kurti, “Vetëvendosje”, ka marrë 70 për qind të votave nga mërgata.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja, që ai ka thënë se me ardhjen e tyre në qeveri do ta lehtësojnë procesin e votimit nga mërgata, përcjell “Zeri.info”.

“Ne me qeverinë tonë do ta lehtësojmë procesin e votimit nga mërgata, jo pse mërgata voton për ne, por sepse mërgata e meriton, me kontributin ekonomik e kulturor që ajo ka dhënë e vazhdon të japë në Kosovë. Pra, edhe një herë, ju falënderoj nga zemra!”, ka shkruar kurti ndër të tjerash në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

Postimi i plotë i Kurtit:

Ndoshta në total ato janë pak vota, por gjithsesi LV ka marrë 70% të votave që kanë ardhur nga mërgata.

Këto ditë jam në Bruksel, ku përveç takimeve me zyrtarë të lartë të BE-së dhe me eurodeputetë po takoj e po falënderoj dhe pjesëtarë të mërgatës në Belgjikë.

Por përmes këtij postimi dua të falënderoj shumë dhe mërgatën tonë në vende të tjera të botës.

Ne me qeverinë tonë do ta lehtësojmë procesin e votimit nga mërgata, jo pse mërgata voton për ne, por sepse mërgata e meriton, me kontributin ekonomik e kulturor që ajo ka dhënë e vazhdon të japë në Kosovë.

Pra, edhe një herë, ju falënderoj nga zemra!

Image