Ymeri, Kurti e Ahmeti prezantojnë në Bruksel prioritetet e qeverisjes së LVV-së

Aktuale June 28, 2017 - 20:13

Delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje , i përbërë nga kryetari Visar Ymeri, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, vazhdoi sot takimet zyrtare në Bruksel.

Ata u takuan me z. Victor Boshtinaru, nënkryetar i Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, znj. Sandra Kalniete, nënkryetare e Grupit EPP në Parlamentin Evropian dhe z. Eduard Kukan, eurodeputet, raportues për Shqipërinë dhe zëvendës raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.

Në këto takime u diskutuan zhvillimet politike në Kosovë pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe themelimi i qeverisë së Republikës së Kosovës. Europarlamentarët u interesuan për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe uruan Vetëvendosjen për rezultatin në to.

Po ashtu fokus i diskutimit ishin edhe prioritetet qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, i përqendruar te prodhimi që krijon vende të reja të punës dhe politikat që i mbrojnë punëtorët, e zbusin pabarazinë dhe rrisin kohezionin shoqëror. Veçanërisht u theksua nevoja që të krijohen mekanizmat që e funksionalizojnë gjyqësorin e sundimin e ligjit kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Përfaqësuesit e Vetëvendosjes shprehën edhe një herë zotimin për procesin e integrimit të Kosovës në BE, si dhe shprehën qëndrimin tashmë të njohur për bashkëpunimin rajonal, si dhe atë për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.