Kurti për portalin serb ‘Blic’: Ne nuk kemi asgjë kundër serbëve, por Serbia është kundër nesh

Aktuale June 27, 2017 - 12:55

“Prioriteti ynë do të jetë dialogu me serbët nga Kosova: ne kemi një plan ekonomik dhe social për komunat veriore të Kosovës. Ne nuk jemi kundër serbëve, por Serbia është kundër nesh”, thotë për “Blic”, Albin Kurti, kandidati më serioz për kryeministër të Kosovës, transmeton "Zeri.info".

Lideri i “Vetëvendosjes”, sipas shumicës së analistëve është shumë pranë karriges së kryeministrit në Kosovë, ka arritur rezultatin më të mirë individual të zgjedhjeve, dhe ka mbështetjen e Perëndimit.

“Kurti është një ujk në petkun e deles”, ka shkruar kohët e fundit gazetarja e “Deutsche Welle”, Adelhajd Fajlke në një nga analizat pas zgjedhjeve në lidhje me suksesin e “Vetëvendosjes”. Edhe pse në një pjesë të Kosovës por edhe të publikut evropian Kurti ka një imazh pozitiv (i pakorruptuar, parimor, i afërt me Perëndimin), lideri i “Vetëvendosjes” ,është një nga politikanët më ekstrem në Kosovë, transmeton "Zeri.info".

Kurti para gjykatës nuk e ka barrën e akuzave për krime lufte (është arrestuar në vitin 1999 me akuzat për terrorizëm dhe i dënuar me 15 vjet burg, por u amnistua në vitin 2001), sot gjatë secilës paraqitje të tij e bën të qartë se ai nuk dëshiron asnjë lloj negociatash me Serbinë pas çështjen e statusit të Kosovës.

Marrëveshja e Brukselit për atë është një tradhëti e interesave kombëtare; për shkak të demarkacionit të "keq" me Malin e Zi ka organizuar demonstrata të zjarrta (me një numër të madh të personave të arrestuar); thekson se Asociacioni i Komunave serbe nuk është në përputhje standardet e Kushtetutës së Kosovës dhe deklarohet për bashkimin me Shqipërinë, përcjell "Zeri.info".

Tani, me kapitalin e ri të fituar, duke fituar 26 për qind të votave në zgjedhjet e qershorit, për herë të parë ka një shans real për të marrë pushtetin dhe të bëhet kryeministër ...

A do të jeni ju Kryeministri i ardhshëm i Kosovës?

Nuk mund të ketë një qeveri të re me regjimin e vjetër. Si kandidat për kryeministër do të marr të gjitha masat e nevojshme për të filluar dhe kryesuar bisedimet për të formuar një qeveri të re. Në radhë të parë ne do të diskutojmë me partitë e koalicionit të përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Kosovën e Re, Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, por edhe me deputetët individual që janë pjesë e koalicionit PAN.

Megjithatë, në radhë të parë ju po flisni në mënyrë negative për marrëveshjen e Brukselit. Atëherë si do të udhëhiqni ju bisedimet me Serbinë?

Prioriteti ynë do të jetë dialogu me serbët nga Kosova: Ne kemi një plan për komunat veriore të Kosovës për të cilat janë paraparë dimensione të kombinuara ekonomike dhe sociale. Dialogu aktual që është zhvilluar me Serbinë në Bruksel nuk ka vënë asnjë kusht për Serbinë, dhe është diskutuar për çështje të brendshme të Kosovës.

Prandaj, rezultati nuk mund të ketë qenë i drejtë. Ky dialog krijon përshtypjen e normalizimit të marrëdhënieve, por në thelb vetëm se thellon ndarjet etnike. Ne në përgjithësi nuk jemi kundër dialogut, por jemi kundër dialogut që Kosovën e kthen në një temë, dhe Serbinë në atë që përcakton rendin e ditës të asaj teme. Serbia duhet të përmbushë një numër kushtesh, sepse i detyrohet shumë Kosovës. Si Qeveri e Kosovës së bashku me Brukselin do të nisim dialog për dialogun me vendet e tjera të Ballkanit, përfshirë Serbinë. Pra një “dialog për dialogun” me BE-në.

Deklaratat tuaja në lidhje me serbët janë më pak problematike por që ju bëjnë juve ekstremist. Cili është qëndrimi juaj ndaj pakicës serbe?

Që kur Komuna e Prishtinës është nën udhëheqjen e “Vetëvendosjes”, në dy fshatra - brenda hapësirës urbane të kryeqytetit të Kosovës - ku jetojnë serbët, çdo gjë është duke shkuar siç duhet. Kushtetuta dhe ligjet tona garantojnë përfaqësimin e përfaqësuesve të pakicave në parlament dhe në qeveri, duke përfshirë edhe serbët. Ne nuk i shohim serbët si Serbinë. Ne nuk jemi kundër serbëve, por Serbia është kundër nesh.

Problemi është se një pjesë e serbëve nga Kosova po instrumentalizohet nga Beogradi. Ka edhe nga ata që pranojnë publikisht Republikën tonë të përbashkët të pavarur, kurse edhe më shumë e pranojnë atë privatisht. Në Kosovë, Serbia instrumentalizon serbët lokalë përmes “Listës Serbe”, e cila deformon vullnetin e qytetarëve serbë. Është e gabuar që serbët dhe shqiptarët të shihen sipas identitetit të tyre kombëtar. Edhe shqiptarët dhe serbët nuk janë gjithmonë dhe kudo vetëm shqiptarë dhe serbë: ata të gjithë kanë rolet e tyre sociale dhe profesionet, të kaluar të ndryshme dhe ëndrra për të ardhmen.

Pse e vini në pikëpyetje ligjshmërinë e AKS-së, është një detyrim që Kosova po e shmang vazhdimisht?

Sa për Asociacionin e Komunave serbe, është konstatuar nga Gjykata Kushtetuese se marrëveshja e Brukselit në këtë pikë është në kundërshtim me 23 nene të Kushtetutës. AKS është një projekt i Beogradit, dhe jo i serbëve në Kosovë.

Qeveria e korruptuar në Prishtinë e ka pranuar atë. Nëpërmjet AKS-së do të jetësohej federalizmi i Kosovës në subjektin kosovar dhe atë serb, në të cilën Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet sovran. Kjo do të kthente Kosovën në një tjetër Bosnje. Ne nuk mund të lejojmë këtë sepse nuk është në interesin e askujt që ne të kemi një republikë jo-funksionale, dhe as në interesin e serbëve në Kosovë.

Ka dëshmi të shumta të “krimeve makabre” të UÇK-së në Kosovë. Cili është qëndrimi juaj për këtë, a do të përgjigjen kriminelët?

Ne kishim UNMIK-un, pastaj Tribunalin e Hagës, dhe EULEX-in, dhe tani kemi një tjetër gjykatë. Ne kemi nevojë për drejtësinë universale, dhe jo për gjykata të tjera të veçanta që të drejtat dhe drejtësia për qytetarët të jenë në varësi të stabilitetit politik afatshkurtër. Për të gjitha krimet, ka kriminelë, dhe ata duhet të gjenden dhe të sillen para drejtësisë.

Unë nuk besoj se UÇK-ja ka kryer krime lufte, por unë besoj se ka individë të cilët janë të fshehur prapa emrit të saj duke ditur mbështetjen popullore që ka UÇK-ja.

Pse kërkoni me ngulm formimin e ushtrisë së Kosovës?

Populli i Kosovës duhet të vendos në rendin e ditës të drejtën e tij të mbrojtjes, njësoj si vendet e tjera. Kosova ka nevojë për një ushtri për paqe. Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë institucioni që do të garantojë sigurinë, por edhe partneritet me aleatët tanë - Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara, dhe integrimin në NATO.

Në raport me Serbinë, e cila çdo vit ndan 500 milionë euro për ushtrinë, buxheti aktual i Kosovës për Forcën e Sigurisë së Kosovës ndan 50 milionë euro në vit. Kosova ka nevojë për të ndërtuar ushtrinë e saj në raport me popullsinë. Ne kemi rreth dy milionë njerëz, kurse sipas disa studimeve, është mirë që një për qind e popullsisë të jetë e përfaqësuar në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, që do të thotë se ne në total në radhët e policisë dhe ushtrisë do të kemi 18,000 deri në 20,000 pjesëtarë. /ZËRI/