Lekaj: Krizën e mendojnë veç ata që janë në krizë mendore, Haradinaj e formon Qeverinë

Aktuale June 26, 2017 - 19:41

Anëtari i AAK-së dhe kandidati për deputet nga koalicioni PAN, Pal Lekaj e ka përsëritur edhe një herë se Qeveria e Kosovës do të formohet nga Ramush Haradinaj, dhe atë në afatin sa më të shkurtër kohor.

Ai në një prononcim për lajmi.net ka thënë se janë duke e pritur vetëm certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja.

“Qeveria do të formohet nga PAN me Ramushin kryeministër në kohën sa më të shkurtër të mundshme. Ne po presim që KQZ pa i bërë presion askush ta kryejë punën e vet duke i çertifikuar rezultatet dhe pastaj do të veprojmë sipas rregullave”, ka thënë Lekaj.

Lekaj gjithashtu ka potencuar se nuk mund të ketë krizë politike në vend, pasi sipas tij koalicioni fitues i zgjedhjeve e ka shumicën në Parlament.

“Krizë mund të ketë vetëm në mendjet e atyre që janë në krizë mendore dhe nuk shohin asgjë bardhë në Kosovën tonë, por vetëm zi. Kosova për të gjithë ata që e kuptojnë politikën nul ka pse të jetë në krizë, përderisa kemi fitues dhe ai fitues tashmë e ka shumicën në Parlament. Zgjedhjet tashmë i kemi të shpallura ato lokalet e sa i përket nacionaleve, të gjithë ata qe pretendojnë të marrin pjesë në to le të përgatiten për 2021“, tha ish-shefi i grupit parlamentar të AAK-së për lajmi.net

Duke i komentuar postimet e Albin Kurtit në facebook ku ky i fundit po i paraqet planprogramet për qeverisjen e tij, Lekaj ka thënë se për këtë gjë mund të flas vetëm Haradinaj, pasi Kurti dhe VV-ja janë larg me demokracinë.

“Jemi në demokraci dhe askujt nuk mund t’i mohohet që të shfaqë mendimet e tij për veprimet që do te mund t’i ndërmerrte në një rast të caktuar. Por si kryeministër i ardhshëm mund të flasë dhe të tregojë për hapat gjatë qeverisë së tij, vetëm Ramush Haradinaj, sepse ai është mandatari i fituesit dhe dihet kush e formon qeverinë në pluralizëm. Albini ndoshta Kosovën e sheh në një sistem tjetër, por me demokracinë janë larg”, përfundoi Pal Lekaj.