Instituti i Londrës: Nuk është Rusia problem në Ballkan, por liderët e korruptuar

Aktuale June 26, 2017 - 13:27

Instituti Ndërkombëtar i Londrës për studime strategjike (IISS) ka vlerësuar se përkundër “zhurmës”, Ballkani Perëndimor nuk kërcënohet nga lufta dhe rusët aty nuk po ia dalin të përforcojnë ndikimin e vet, porse demokracia është rrënuar dhe se “në rajon qeverisin autokratët dhe korrupsioni e ndaj tyre Perëndimi mbyll sytë”.

Ky, theksohet në analizën e gjerë të IISS, është kombinim i “autokratëve e kleptokratëve ballkanikë të cilët vendet perëndimore i mbështesin për shkak se e mbajnë paqen e stabilitetin, siç tërheqin vëmendjen kritikët qeverive ballkanike”, transmeton Koha.net.

Në thelb, një fjalë e re ka hyrë në leksik për t’u thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë demokraci të vërteta, por janë “stabilokraci” që shkojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, thotë Instituti londinez.

Në analizë theksohet se “përkundër zgjedhjeve të shpeshta, synimet autoritare shfaqen në gjithë rajonin e mediet e informimit jo rrallë janë të dobëta dhe në mbikëqyrje të partisë qeveritare”.

Instituti ka gjetur se “lufta kundër korrupsionit rëndom përdoret ashtu që qeveria e re të arrestojë kundërshtarët e vet, ta eliminojë konkurrencën politike dhe të tregojë rezultate në luftën kundër korrupsionit në rrugën për anëtarësim në BE”.

Në sistemin e drejtësisë shumë lehtë depërtojnë ata që janë në pushtet ose që kanë para, klientelizmi e nepotizmi janë shumë të përhapur, e punët në entet qeveritare dhe në ndërmarrjet publike i ndajnë me anëtarët e familjes, miqtë dhe me njerëzit e partisë, shtoi Instituti londinez.

Në analizë shtohet se “rajoni sërish ka marrë rëndësi strategjike, më së shumti për shkak se rusët kanë rritur preokupimin me të, përcjell Koha.net, edhe pse Moska ka pësuar disa dështime serioze në rajon derisa qeveritë ballkanike kanë bërë punë të mëdha në ndjekjen dhe në shkatërrimin e rrjeteve islamike”.

IISS tregon se “nga mesazhet e rrjedhura nga ambasadori rus në Maqedoni” del se rusët synojnë që në Ballkanin Perëndimor “të vendosin bllokun neutral e ndoshta edhe rajone proruse dhe që rusët qetas ta zgjerojnë ndikimin e vet te pjesët ortodokse të rajonit, ndërsa ekstremistët islamikë të imponojnë ndikim, në radhë të parë te pjesët myslimane”.

Rusët përpiqen që këtë “bllok neutral ose prorus” ta forcojnë në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe në Republikën serbe në Bosnjë e Hercegovinë, sepse RS ka ndikim vendimtar në mbrojtjen dhe në sigurinë e BH-së.

Por, sqaron Instituti, rusët patën dështime në Maqedoni e Mal të Zi, “ku Qeveria në Podgoricë akuzoi Rusinë se u përpoq ta largojë atë me komplotin e çuditshëm gjatë zgjedhjeve në tetorin e vitit të shkuar”.

E vërteta për këtë edhe më tej është e paqartë dhe përderisa malazezët janë të bindur se në disi kanë qenë të përzier rusët, të tjerët janë të bindur se arrestimi i komplotistëve është pjesë e dramës e përgatitur nga partia qeveritare për të frikësuar votuesit skeptikë ndaj NATO-s në mënyrë që ata ta votonin këtë parti, shkruan në analizë.

Qarqet informative perëndimore janë të bindur se aty ka qenë shërbimi informativ ushtarak rus GRU, shton IISS dhe thekson se “sido që të jetë, me përjashtim të një brezi të vogël boshnjak dhe Monacos, gjithë veriu i Mesdheut, nga Gjibraltari deri te kufijtë e Sirisë, tani është nën mbikëqyrje të NATO s, e rusët nuk do të mund t’i përdorin lehtësitë nëpër portet e Malit të Zi”.

Instituti thekson se “në Serbi, e cila zyrtarisht ushtarakisht është neutrale, gjendja është shumë më e mirë për rusët, sepse Putini aty, transmeton Koha.net, është i popullarizuar dhe Qeveria e Aleksandar Vuçiq përkrah marrëdhëniet e mira me Moskën”.

IISS vëren se “Vuçiq thotë se do marrëdhënie të mira edhe me Lindjen e me Perëndimin dhe kështu synon të kaluarën e paangazhuar ballkanike të Titos, duke kultivuar lidhje me Kinën dhe vendet arabe të Gjirit të cilat po investojnë në Serbi”.

Por, lideri që Vuçiq e dëgjon më së shumti është rëndom kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ajo gjoja i ka thënë Vuçiqit që të mos lejojë status diplomatik për personelin e bazës ruse në Nish e cila përdoret për harmonizimin e hapave për situata emergjente humanitare , thekson IISS.

Instituti thekson se Merkel “beson se Rusia, këto lehtësira do t’i përdorte për përcjellje elektronike të shumë shënjestrave, përfshirë edhe bazën ushtarake në jug, më pak se dy orë larg Nishit, ku ushtarët serbë ushtrojnë bashkë me NATO-n e shënjestra tjetër pa dyshim do të ishin edhe trupat e NATO-s në përbërje të KFOR-it me 4.352 ushtarë që garantojnë sigurinë e Kosovës”.