Kosova, afër anëtarësimit në INTERPOL?

Aktuale June 24, 2017 - 17:18

Autoritetet në Kosovë presin që gjatë këtij viti Kosova të jetë anëtare e organizatës më të madhe të policisë në botë, INTERPOL. Përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, anëtarësimin në këtë mekanizëm të sigurisë e konsiderojnë të një rëndësie kapitale për vendin.

Ministria e Punëve të Brendshme tanimë është informuar se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it, ka vendosur që aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, ta vë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme që do të zhvillohet në Pekin të Kinës, nga data 26 deri më 29 shtator 2017. Zëvendësministri në largim i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, thotë se kjo është një e arritur e madhe, por që nuk mjafton nëse nuk do të ketë rezultat pozitiv.

“Kosova mund të jetë në këtë vit anëtare e INTERPOL-it, nëse votohet gjithsesi. Rëndësia është kapitale për vendin tonë pasi flasim për shkëmbim në kohë reale të informatave të ndjeshme dhe atyre inteligjente”, thekson Hoxha.

Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, shton Hoxha, do të avanconte shumë kapacitetet e Kosovës në luftën kundër të gjitha krimeve, si dhe do të fuqizonte shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar.

Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në INTERPOL edhe në prill të vitit 2015, por vitin e kaluar kjo organizatë kishte suspenduar aplikacionin e Kosovës. Mos anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm ishte theksuar nga ekspertë të sigurisë se e bën më të vështirë punën e Kosovës në luftimin e krimeve që tejkalojnë kufijtë shtetërorë dhe mbi të gjitha ekstremizmin e dhunshëm.

“Është shumë e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në kuptimin e mundësisë më të lehtë të shkëmbimit të informacioneve, ndërkaq sa i përket EUROPOL-it kjo çështje momentalisht është e pamundur. Edhe deri më tani ka shkëmbim të informacioneve me INTERPOL, kryesisht përmes UNMIK-ut. Megjithatë, anëtarësimi i mundëson jo vetëm Kosovës, por edhe shteteve tjera anëtare të INTERPOL-i it që të kenë komunikim më direkt dhe më të shpejtë me institucionet e Kosovës”, thekson Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë.

Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj, ka vendosur bashkëpunim me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in, por shkëmbimi i informatave kryesisht bëhet përmes Zyrës së Administratës së Kombeve të Bashkuara, që ka trashëguar Misionin e OKB-së në Kosovë pas ristrukturimit të tij. Dy institucionet ndërkombëtare të sigurisë, EUROPOL dhe INTERPOL, janë mekanizmat më të rëndësishëm dhe njëra nga detyrat e tyre shtrihet në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë në luftimin e krimit, të çdo lloji. /REL/