Daka: Javën tjetër rezultatet përfundimtare

Aktuale June 24, 2017 - 09:09

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në fillim të javës që vjen do t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare, të mbajtura më 11 qershor. Kështu ka thënë për gazetën “Zëri” kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

“Nuk mund të them datën e saktë, por pritet që në fillim të javës së ardhshme të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ndërsa certifikimi i tyre mund të bëhet pas 24 orëve pas  shpalljes së rezultateve, normalisht nëse nuk ka ankesa në PZAP”, ka pohuar Daka, duke shtuar se kjo vonesë në shpalljen e rezultateve përfundimtare ka ndodhur për shkak të rinumërimit të disa kutive me fletëvotime, shkruan gazeta Zeri.

E parja e KQZ-së thotë se institucioni që e drejton nuk duhet të akuzohet nga subjektet politike për vonesa në shpalljen e rezultateve përfundimtare, por për vonesat e tilla duhen fajësuar komisionarët e partive dhe disa nga kandidatët për deputetë.

“Ata që e akuzojnë KQZ-në duhet t’i shikojnë komisionarët dhe kandidatet e tyre për deputetë, të cilët i kanë bërë këto pengesa pasi që ka pasur mospërputhje të votave me formularë. Prandaj na është dashur t’i rishikojmë të gjitha rastet kur ka pasur mospërputhje të tilla”, ka thënë Daka...(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Zëri, ose në versionin online me parapagim online.zeri.info...)