Isufi i bindur: Haradinaj bëhet kryeministër

Aktuale June 22, 2017 - 23:25

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, është shprehur i bindur se koalicioni PAN, pjesë e të cilit është partia e tij, do ta krijojë qeverinë e re të vendit.

Ai ka thënë në RTV Dukagjini se kandidati i PAN'it për kryeministër, Ramush Haradinaj, do të mbështetet nga deputetët e partive të tjera që do të përfaqësohen në Kuvendin e ri, përkundër mohimeve nga aktorë të caktuar se një gjë e tillë do të ndodhë.

Isufi ka thënë se në Kosovë është dëshmuar se nuk ka ‘jo’ përfundimtare dhe 'kurrë'.

"Është vërtetuar, gjatë të gjitha mandatave, që ka pasur deklarata shumë anti, por në fund interesi i qeverisë, interesi i lidhur për interesat e mëdha të vendit, për kauzat e Kosovës, edhe në lidhje me angazhimin ndërkombëtar, janë arritur pajtime që janë dukur në fillim të pamundshme", është shprehur Isufi, raporton Gazeta Express.

"Tabutë janë thyer qysh herët, janë thyer që në qeverinë e parë, kur zoti Haradinaj ka bërë koalicionin me Rugovën, që atëherë ka qenë bukur, shikuar në atë rrethana që kanë ekzistuar, i pamundur. Por, megjithatë, është bërë...", ka thënë Isufi. /Express/