Krasniqi: Posti i kryeparlamentarit i takon PDK’së

Aktuale June 22, 2017 - 22:25

Janë bërë pothuajse tri javë nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u shpallën pas rrëzimit të Qeverisë Mustafa me një mocion të iniciuar nga opozita.

Sipas rezultateve të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, koalicioni PAN prin me 33,92%, e dyta është Vetëvendosje me 27,16% dhe i treti është koalicioni tjetër LAA 25,79%/.

Derisa po bëhet rinumërimi i disa kutive të votimit, votave nga diaspora dhe atyre me kusht, Nisma për Kosovën ka paralajmëruar se në legjislaturën e radhës do të veproj si grup i vetëm parlamentar.

Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, neni 67 thotë se “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka përsëritur se pozita e kryeparlamentarit do t’i takoj prapë partisë nga ai vjen.

“Kryetari i Kuvendit do të jetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, është e vetëkuptueshme kjo”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline.

Edhe Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, duke u bazuar në një aktgjykim të Kushtetueses ka thënë për Indeksonline se kryeparlamentari i takon PAN-it.

“Shihe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ku thotë se: ‘Kryetarin e Kuvendit e propozon grupi me i madh parlamentar i dalur nga zgjedhjet’. Ndërsa pika 117, nga aktgjykimi i rastit ‘Grupi me i Madh Parlamentar’ i datës 26 gusht 2014 specifikon qartë se grupet tjera parlamentare mund te krijohen pas konstituimit te Kuvendit”, ka thënë Sherifi.