Mitrovica me aktivitete kundër rrezikut nga 'Balena Blu'

Aktuale June 22, 2017 - 16:43

Me qëllim të evitimit të rrezikut  dhe mbrojtjes së përdoruesve të rrjeteve sociale nga loja “ “Balena Blu”, apo siç po quhet ndryshe edhe “Loja Vetëvrasëse”, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka organizuar një takim më përfaqësuesit e Drejtorisë së Arsimit, asaj për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe përfaqësuesit e policisë së Kosovës, në të cilën është folur për shqetësimin e  prindërve, familjarëve, institucioneve dhe në përgjithësi të shoqërisë, për rrezikun nga kjo lojë.

Në takim u tha se shqetësimi i prindërve, familjarëve e shoqërisë, si dhe i institucioneve edukativo-arsimore dhe të tjera për rrezikun që u kanoset fëmijëve nga kjo lojë, është shumë i arsyeshëm , prandaj edhe shtrohet nevoja që të merren një varg aktivitetesh dhe masash për sensibilizimin e fëmijëve e të rinjve, prindërve dhe në përgjithësi të qytetarëve, për këtë rrezik.

Përveç obligimit të prindërve dhe familjarëve të fëmijëve, u shtrua nevoja e angazhimit të mëtutjeshëm në këtë drejtim edhe të institucioneve edukativo-arsimore,të cilat të martën ia kanë kushtuar një orë kësaj problematike.

Aktivitetet do të vazhdojnë nëpër Bashkësi lokale dhe në  Bashkësinë Islame, me qëllim  që të bisedohet në mënyrë intensive me fëmijë dhe të rinj, për t’i bindur ata se nuk duhet të kyçen në asnjë mënyrë në një lojë të këtillë që mund të përfundoj tragjikisht për ta.

Bisedat në këtë temë me prindër, fëmijë e të rinj, do të mbahen edhe në ditën e premte, kur nëpër Bashkësi lokale do të organizohen takime me prindër e fëmijë, për t’i sensibilizuar për rrezikun që u kanoset atyre. Po ashtu, të premten nëpër të gjitha xhamitë e Mitrovicës, imamët do t`u flasin besimtarëve në këtë temë, ashtu sikur që për këtë rrezik do të flitet edhe në takimin me qytetarë, që kryetari i Komunës, Agim Bahtiri do ta organizoj javën e ardhshme.

Në të gjitha këto takime do të kërkohet nga fëmijët që të mos kyçen në këtë lojë vdekjeprurëse, ndërsa që nga prindërit dhe arsimtarët do të kërkohet që të jenë shumë më të kujdesshëm ndaj fëmijëve e të rinjve, duke i përcjell maksimalisht aq sa është e mundur veprimet e tyre dhe ofrimi i këshillave që këto ditë t’i përdorin sa më pak rrjetet sociale, me qëllim të evitimit të mundësisë për përfshirje në këtë lojë fatale.