Beqiri flet për deklaratën e Hazirit rreth kandidatëve për Prishtinën

Aktuale June 22, 2017 - 14:48

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, e ka komentuar deklaratën e kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri, i cili tha se nuk ka emër dhe as kandidat për komuna, të caktuara nga radhët e LDK-së dhe se të gjitha propozimet janë individuale.

Beqiri ka thënë se të gjithë i dinë procedurat se si shkon deri të përzgjedhja e kandidatëve për kryetar komunash.

Ai tha se nuk ka asnjë kundërshti nga qëndrimet dhe nga ato që ka thënë Haziri, pasi vendimet, siç u shpreh ai i marrin organet e partisë.

“Mos te manipulohet nga askush me deklaratën time në Klan Kosova. Z.Haziri ka thënë që LDK nuk ka propozuar asnjë Kandidat për Kryetar Komune, kjo është e vërtetë. Unë mbrëmë kam thënë qartë se nëse do të jam kandidat për Prishtinë, besoj dhe jam i bindur që do t’i fitojmë zgjedhjet, prapa kësaj deklarate qëndroj edhe sot dhe në të ardhmen”, ka theksuar Beqiri për Express.

Sidoqoftë zyrtari i LDK-së Ismet Beqiri, ka pranuar dje, se tash e një kohë ka kërkesa nga strukturat dhe qytetarët që të jetë kandidat për të parin e Prishtinës, por vlerëson se propozimet i bëjnë degët, e pastaj Kryesia dhe Këshilli i partisë vendos për këtë.

“Unë si Sekretar i përgjithshëm i LDK-së i di procedurat, këtu nuk kemi asnjë kundërshti në qëndrime me z. Haziri. Degët bëjnë propozimet pastaj Kryesia e LDK dhe KP vendosin. Mendimet as unë as z. Haziri nuk duam as nuk mundemi me ua ndaluar askujt t’i thonë, e vendimet i marrin organet e partisë”, ka sqaruar Beqiri.

Ndërkaq, kujtojmë se zgjedhjet lokale për kryetar Komunash janë vendosur të mbahen më 22 tetor, datë të cilën e bëri zyrtare Presidenti Thaçi në konsultime me subjektet politike.