Më 22 tetor votohet nëpër komuna

Aktuale June 22, 2017 - 08:12

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 22 tetor të këtij viti, vetëm katër muaj pas zgjedhjeve të parakohshme nacionale. Kështu njoftoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një takimi që pati me përfaqësuesit e subjekteve politike në Kosovë.

Këta të fundit gjatë takimit u dakorduan që zgjedhjet lokale të mbahen pikërisht me këtë datë, meqë është brenda afateve ligjore.

Nga ana tjetër kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, bëri të ditur se KQZ-ja është e gatshme për organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato mbahen, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pas takimit presidenti njoftoi se tashmë ka udhëzuar KQZ-në që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizim të zgjedhjeve.

“Presidenti ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në përputhje me vendimin e tij dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkohë, gjatë takimit Thaçi konsideroi se ditën e zgjedhjeve lokale duhet të sigurohet një proces zgjedhor i besueshëm, kredibil dhe i pranueshëm për të gjithë.

Ndërkohë, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se KQZ-ja është e gatshme për zgjedhje kurdo që ato do të mbahen.

“Ne si KQZ jemi të gatshëm t’i organizojmë, ashtu siç i kemi organizuar edhe të gjitha zgjedhjet. Edhe njëherë i ftoj të gjithë që ta vazhdojmë traditën e deritashme dhe ta përmirësojmë edhe më tepër imazhin e Kosovës”, deklaroi Daka.

Ajo me këtë rast vlerësoi se KQZ-ja ka organizuar zgjedhje të suksesshme edhe më 11 qershor.

Nga ana tjetër nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, tha se ky subjekt është i gatshëm për zgjedhje, në çfarëdo afati që do të jetë në pajtim me ligjin.

“Çdo afat që është brenda ligjit, brenda Kushtetutës, ne do të jemi në pajtim dhe besoj që do ta përkrahim”, deklaroi ai, shkruan tutje "Zeri".

Kurse sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, tha se ky subjekt përkrah datën 22 tetor për organizimin e zgjedhjeve lokale.

“Jemi dakord që të jetë kjo datë e zgjedhjeve për qeverisje lokale”, u shpreh Beqiri.

Ndërkohë edhe kandidati për deputet i “Vetëvendosjes”, Ismajl Kurteshi, propozoi 22 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ si subjekti më i madh në vend propozon që 22 tetori të jetë data e mbajtjes së zgjedhjeve për shkak të dimrit dhe se kjo është e diela e fundit kur ora ende s’ka ndryshuar dhe zgjedhjet mund të mbahen para se të vijë terri”, deklaroi ai.

Me këtë rast Kurteshi sugjeroi Dakën që të angazhohet më shumë rreth informimit të qytetarëve se si duhet votuar pasi që, ashtu si tha ai, shumë fletëvotime janë shpallur të pavlefshme.

Nga ana tjetër edhe nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është pro asaj që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt.

“Ne si Aleancë mendojmë që zgjedhjet lokale duhet të mbahen brenda afatit kushtetues dhe data të jetë sa më e hershme, por brenda afatit kushtetues”, potencoi Lekaj.

Ndërkaq kandidatja për deputete të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, tha se data optimale do të ishte 22 ose 29 tetori.

“Në emër të Nismës datat optimale do të ishte 22 tetori ose eventualisht 29 tetori. Por mos t’i tejkalojmë datat që parashihen në Kushtetutë”, tha ajo.

22 tetorin për mbajtjen e zgjedhjeve e propozuan edhe Agim Bahtiri, përfaqësues i AKR-së, Slavko Simic, përfaqësues i Listës Serbe si dhe përfaqësuesit e subjekteve të tjera më të vogla. /ZËRI/