Abazi : PAN i varur nga Lista Serbe për formimin e Qeverisë

Aktuale June 20, 2017 - 10:53

Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi vlerëson se koalicioni PDK- AAK- NISMA pas rezultatit të  11 qershorit është i varur nga Lista Serbe për formimin e Qeverisë.

Pasi që siç thekson ai, koalicioni nuk i ka votat e mjaftueshme  të subjekteve shqiptare për krijimin e ekzekutivit.

“PAN nuk ka arritur të siguroje votat e mjaftueshme të shumicës shqiptare dhe nëse e bën qeverinë apo më mirë thënë ekzekutivin atëherë do të duhej të varej nga vullneti i Listës Serbe që e bën te vështirë  jo vetëm për PAN por të gjithë agjendën”, ka thënë Abazi për "Zërin".

Më tej, ai tregon se as Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo që ka dal e dyta në këto zgjedhje nuk ka gjasë të formojë një koalicion me PAN-in.

“Në anën tjetër edhe për VV-në është shumë e vështire të bëj ekzekutivin me PAN sepse qëndrimet janë shumë larg njëra tjetrës sidomos në agjendën që pritet të jetë në tavolinë para ekzekutivit të ri”, ka thënë Abazi.

Duke theksuar se kushdo që e bën ekzekutivin do të përballet me vështirësi të shumta dhe me një opozitë të fortë.

Në anën tjetër, Abazi vlerëson se LDK është dëmtuar mjaft në këto zgjedhjet, dhe duke qenë kështu, sipas tij partia e Isa Mustafës duhet të paguaj këtë kosto.

“E vërteta është se një numër i madhe i intelektualëve të LDK-së janë eliminuar në rrethana shumë të dyshimta dhe shumë prej tyre kanë qenë boshti kryesor i filozofisë politike. Si çdo organizim tjetër që goditet në të gjitha anët edhe LDK është dobësuar por mbetet parti me traditë dhe ne evolucionin e saj kjo është edhe një fazë tjetër e cila do të kaloj me koston e vet”, ka deklaruar ai.

Sipas Abazit, LDK ende mbetet një faktor i rëndësishëm i skenës politike.

“LDK është partia më e vjetër dhe me shtrirje në të gjitha pjesët e shoqërisë. Në artikulimin e strategjisë për shtet dhe pavarësi LDK ka qenë dhe mbetet vula e politikës kosovare”, ka përfunduar ai. /Zeri.info/.