Haziri tregon sa a i ka heq LDK-ja vijat e kuqe për PDK-në

Aktuale June 19, 2017 - 20:37

Ndonëse ka kaluar një javë prej zgjedhjeve të 11 qershorit, ende nuk ka asnjë marrëveshje mes partive për ndonjë koalicion paszgjedhor. 

Koalicioni parazgjedhor PAN, edhe pse ka dalë fitues i këtyre zgjedhjeve me 39 deputet në Kuvendin e Kosovës, ai nuk ka arritur që të sigurojë ulëse të mjaftueshme në Kuvend që të formojë Qeverinë e ardhshme përfshirë këtu edhe votat e pakicave.

E, mediat sot duke iu referuar një deklaratë të Haki Rugovës se LDK-së kanë raportuar se LDK po i heq vijat e kuqe për PDK-në.

Por, i kontaktuar nga ‘Indeksonline’, nënkryetari i Lidhjes Demokratike, Lufti Haziri ka thënë se me PDK-në nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi.
Haziri madje tha se LDK nuk do të bie pre as e presionit ndërkombëtar për formimin e Qeverisë me PAN.

“Ne kemi thënë dhe kemi vendos edhe e konfirmojmë përsëri se me PDK asnjë formë bashkëpunimi nuk na lidh. As me ndërmjetësim ndërkombëtar as në asnjë situatë, me kryetarin e PDK-së edhe kryesinë e PDK-së nuk dëshirojmë në asnjë formë me e diskutu për bashkëpunim”, tha Haziri.

Sipas Hazirit deri sa të dalin rezultatet nga KQZ, LDK nuk do të ketë asnjë ndryshim për koalicione të ardhshme. 

Tutje, nënkryetari i LDK-së tha se vetëm kjo parti e ka çelësin e artë për formimin e qeverisë, e njëkohësisht edhe për stabilitetin vendit.

“LDK e ka çelësin e artë në dorë dhe jemi totalisht sikur kemi qenë që 28 vite faktori kryesor i stabilitetit dhe faktori kryesor i ndërtimit të shtetit” shtoi Haziri.

I pyetur, nëse ka ndonjë mundësi bashkëpunimi mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, Haziri tha se deri në çertifikimin e rezultateve nuk do të ketë bashkëpunim me asnjë parti, përfshirë këtu edhe Vetëvendosjen.