Erdogan për zgjedhjet: I uroj fat Edi Ramës për projektet e tij (VIDEO)

Aktuale June 19, 2017 - 20:32

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vlerëson faktin se vendi ynë ruan një paqe dhe harmoni fetare model për botën.

“Shqipëria është vend unik me shumëllojshmëri fetare e kulturore dhe në këtë aspekt ka një respekt reciprok mes myslimanëve dhe të krishterëve. kjo bashkëjetesë është një pasuri dhe lutem shpesh që të mbështetet edhe më tej nga Shqipëria. Por ka edhe të tjerë që përpiqen ta përcajnë Shqipërinë. Lutem që ata të thyejnë kokën në mur”, thotë Erdogan. 

Erdogan ka ndërtuar një raport special me kryeministrat shqiptarë, por duket se raporti me Edi Ramën shkon edhe më tej. Ai nuk ngurron ta urojë atë në mes të fushatës elektorale. 

“Dua t’i uroj fat mikut tim të dashur, kryeministrit Edi në përpjekjet e tij. Po ashtu edhe presidentit të zgjedhur. Personalisht jam për një solidaritet mes tyre. Zgjedhjet në Shqipëri do të shënojnë fillimin e një epoke të re dhe unë besoj se shqiptarët do të fuqizojnë të ardhmen e tyre”, thotë Erdogan për Top Channel. 

Por në intervistën për gazetarin Sokol Balla, presidenti turk ndalet tek përplasja e dy institucioneve shtetërore më të larta dhe flet për forca që mund të cënojnë unitetin e shtetit nisur nga këto përplasje. 

Ai shprehet se nga pikëpamja ekonomike investimet turke në Shqipëri kanë arritur në nivele shumë serioze, rreth 3 miliardë euro. 

“Investimet turke në Shqipëri kanë arritur në nivele shumë serioze, rreth 3 mld euro investime. Nuk e di sa investime keni marrë nga BE, por investimet tona nuk do të ndalen. Në Shqipëri ne kemi një rreze të gjerë investimesh dhe pak ditë më parë disa biznesmenë biseduan me mua për perspektivën e investimeve në Shqipëri pas zgjedhjeve”, thekson Erdogan. 

Ai ndalet edhe tek rreziku i organizatave me mbështetjen e Fejtullah Gylen në Shqipëri.

“Fejtullahistët janë kthyer në rrezik për Turqinë dhe unë do të jem shumë i qartë në këtë drejtim. Shqipëria është një vend me popullsi të vogël dhe ata mund të përbëjnë një rrezik edhe më të madh”, shton Erdogan.