Vendos KQZ: Rinumërohen edhe 280 kuti të votimeve

Aktuale June 19, 2017 - 17:19

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi sot që të rinumërohen edhe 280 kuti të votimit, pasi paraprakisht kishte marrë rekomandim nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

Rinumërimi i tyre do të bëhet për shkak të mospërputhjes së të dhënave të kandidatëve dhe subjekteve politike. Rinumërimi 280 kutive të votimit e qon në 425 numrin e kutive të rinumëruara.

Rinumërimi i kutive të votimit mund ta vonojë shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve dhe certifikimin e tyre.

“Rezultatet do të bëhen zyrtare kur të numërohen të gjitha votat edhe ato të ardhura me postë edhe ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta”, tha kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka në mbledhjen e sotme.

“Kam parë nëpër medie publikimin e disa listave dhe dua të sqaroj që ende nuk ka rezultat të saktë deri sa të numërohen të gjitha votat”, shtoi ajo. /Kallxo.com/