Lekaj tregon nëse PAN do u jap serbëve ndonjërin prej posteve qeverisëse

Aktuale June 18, 2017 - 21:27

Mundësia që Listës Serbe t’u jepet ndonjëra nga postet udhëheqëse në vend, është kundërshtuar fuqishëm edhe nga koalicioni PAN të cilët edhe pritet të bëjnë formimin e Qeverisë së Kosovës.

Është pikërisht kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj i cili ka theksuar se për një kërkesë të tillë të serbëve për të marrë ndonjërin prej posteve: Kryeministrin, Kryeparlamentarin apo atë të Presidentit tashmë është dhënë përgjigja, e cila është jo.

“Kërkesa e Listës Serbe është shumë e ekzagjeruar,përgjigjen e kanë marrë edhe nga z.Haradinaj edhe nga z.Veseli”, ka thënë Lekaj.

Lekaj ka theksuar se assesi nuk pranojnë kushtëzime.

“Nuk pranojmë kushtëzime, që do të thotë që kjo nuk mund të ndodhë”, ka përfunduar Lekaj.

Ndryshe është pikërisht Drejtori i të Ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq i cili ka deklaruar se Listës Serbe duhet t’i takojë njëri nga postet udhëheqëse në vend.

Madje ky i fundit ka cilësuar se një gjë e tillë mund të ndodhë pasi në Maqedoni, shqiptari Talat Xhaferi është vendosur në krye të Kuvendit dhe kjo gjë është përkrahur nga ndërkombëtarët.

Ndryshe zgjedhjet nacionale të 11 qershorit në vend nxorën rezultate nga të cilat koalicioni PAN dolën të parët duke u pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa. Kurse është pikërisht Lista Serbe që në këto zgjedhje mori 5.88 përqind të votave të qytetarëve./Indeksonline/