'Vetëvendosje e vetmja që nuk është e varur nga Lista Serbe'

Aktuale June 18, 2017 - 19:20

Pas zgjedhjeve të 11 qershorit, Kosova vazhdon të mbetet ende nën procesin e numërimit të të gjitha votave të qytetarëve edhe pse rezultatet e para nxorën fitues koalicionin PAN me 33.92 për qind duke vazhduar me Vetëvendosjen prej 27.16 për qind si partia me më së shumti vota, rezultat ky i vazhduar nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 25.79 %.

E drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq ka deklaruar se Lista Serbe duhet që të ketë njërën nga tri pozitat udhëheqëse të Kosovës.

Sipas tij pozita e Kryeparlamentarit, Kryeministri apo Presidentit të Kosovës duhet t’i takojë serbëve.

Madje ai këtë gjë e ka krahasuar me vendosjen e Talat Xhaferit në krye të Parlamentit të Maqedonisë, e që sipas tij përfaqësuesit e shteteve të huaja e kanë përkrahur një gjë të tillë.

I kontaktuar nga Indeksonline kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje i cili tashmë ka siguruar edhe një ulëse në Kuvendin e Kosovës për legjislaturën e ardhshme, Rexhep Selimi, ka theksuar se Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk duhet të formohet as me bisedime me Serbinë as nën presionin e kushtëzimeve të Listës Serbe.

“Përparësia e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj koalicionit PDK-AAK-NISMA është se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë në vartësi të Listës Serbe e as të Qeverisë së Serbisë për ta formuar Qeverinë”, ka thënë Selimi.

Sipas tij një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë assesi.

“Serbia duhet të jetë e përjashtuar nga roli i saj në formimin e qeverisë së re të Kosovës”, ka shtuar Selimi.

Sipas tij vetëm Lëvizja Vetëvendosje do ta përjashtojë rolin e Serbisë dhe kushtëzimet e Listës Serbe në formimin e Qeverisë së ardhshme.

Ndryshe duhet përkujtuar që Lista Serbe në zgjedhjet nacionale ka dalë të mbledhë 5.88 përqind të votave.