Reshitaj tregon se a do t’i bashkëngjiten deputetët e AKR-së koalicionit ‘PAN’

Aktuale June 17, 2017 - 15:12

Zëvendëspresidentja e AKR-së Albena Reshitaj, duke folur për formimin e Qeverisë gjatë një interviste për “Zërin”, ka thënë se kreu i kësaj partie  Behgjet Pacolli nuk do të joshet nga pozitat institucionale për t’ia siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma).

Ajo po ashtu ka thënë se partia e saj është në koalicion me LDK-në, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi dhe për çdo çështje do të kenë veprim të përbashkët.

Zëri: Koalicioni PAN ka dalë i pari në këto zgjedhje, por i mungojnë numrat për ta formuar Qeverinë. A ka gjasë që deputetët e AKR-së t’i bashkëngjiten këtij koalicioni.

Reshitaj: Realiteti paszgjedhor ka dëshmuar se asnjë nga koalicionet nuk do ta ketë mundësinë e mëvetësishme që ta krijojë Qeverinë dhe kjo e krijon nevojën e domosdoshme për bashkëpunime dhe koalicione të reja. Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri stabile, të drejtuar nga njerëz dinjitozë, profesionistë dhe të pastër e të pakorruptuar. Do të duhej që për momentin të mos merremi shumë me paragjykime dhe supozime, por ta presim certifikimin e rezultateve dhe pastaj të ulemi dhe të vendosim për koalicionin më të mundshëm dhe më të mirë për t’i lëvizur proceset përpara.

 Zëri: A preferoni më shumë një koalicion me PAN-in apo me LDK-AKR-“Vetëvendosjen”?

Reshitaj: E thashë dhe më parë se diçka konkrete tash për tash nuk kemi, por dua ta theksoj se ne jemi tashmë në një koalicion me LDK-në, Alternativën dhe Lëvizjen për drejtësi dhe do ta kemi një vendim të përbashkët për këtë çështje.

Zëri: Nëse do të ketë ofertë joshëse nga z. Veseli dhe Haradinaj, ta zëmë për z. Pacollin që të bëhet kryeparlamentar apo disa pozita të rëndësishme në Qeveri. A është si opsion që deputetët tuaj ta përkrahin formimin e Qeverisë nga koalicioni PAN?

 Reshitaj: Nuk e besoj që z. Pacolli merret me joshjet apo pozitat, sepse këtë e ka dëshmuar edhe nga e kaluara. Bazë e çdo marrëveshjeje do të jenë programet për zhvillimin e Kosovës dhe interesi qytetar, e kurrsesi ai individual dhe partiak.