Dilemat për mandatarin

Aktuale June 17, 2017 - 08:10

Derisa drejtues të koalicionit PAN insistojnë se vetëm atyre u takon mandati për formimin e Qeverisë pasi që, siç thonë ata, kanë fituar më së shumti vota më 11 qershor, ekspertët ligjorë thonë se dispozitat kushtetuese janë krejtësisht të qarta dhe se nuk ka dyshim se presidenti i Republikës ia jep mandatin personit i cili dëshmon se ka besimin e shumicës së deputetëve të Parlamentit, përkatësisht kush e siguron shumicën e thjeshtë prej 61 votave, shkruan sot, gazeta Zeri.

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), presidenti Hashim Thaçi duhet t’ia japë mundësinë e formimit të Qeverisë koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma), pasi që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhje.

Por, nëse ky koalicion nuk arrin që t’i sigurojë së paku 61 numra në Kuvend, atëherë i pari i shtetit duhet t’ia japë mundësinë e formimit të Qeverisë partisë së dytë, e cila do të arrij t’i dëshmojë me nënshkrime se i ka numrat e nevojshëm në legjislativ.

Kështu kanë vlerësuar ekspertët kushtetues, duke tentuar t’i qartësojnë dilemat rreth formimit të institucioneve të reja qendrore.

Mazllum Baraliu, ekspert kushtetues, thotë për “Zërin” se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpjegon qartazi mënyrën e krijimit të Qeverisë.

“Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës e ka specifikuar në mënyrën më të qartë të mundur që se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenti i Republikës e ka për detyrë që në konsultim me partinë politike ose me koalicionin zgjedhor që është fitues i zgjedhjeve, në këtë rast me PAN-in, që ta dekretojë mandatarin që i ka fituar zgjedhjet për krijimin e Qeverisë”, ka thënë Bralaliu, duke shtuar se në qoftë se mandatari në afat prej 15 ditësh arrin ta bëjë një qeveri me një strukturë prej 61 deputetësh, është i detyruar presidenti t’ia japë mandatin.

Në anën tjetër Baraliu thotë se në rast të dështimit të rastit të parë, atëherë mundësia për formimin e Qeverisë duhet t’i jepet partisë së dytë fituese të zgjedhjeve.

“Nëse nuk i fiton votat PAN-i, atëherë konsiderohet se Qeveria nuk është zgjedhur nga mandatari i parë dhe presidenti në afat prej 10 ditësh e ka për detyrë ta pranojë ofertën nga mandatari tjetër. Nëse as ky, mandatari i dytë nga partia fituese, nuk mund t’i sigurojë 61 vota, atëherë është diskrecion në dëshirën e presidentit, apo i mbetet presidentit që mandatin për formimin e Qeverisë t’ua japë partive tjera të radhës, të dytës, të tretës”, ka shtuar Baraliu.

Sipas tij, edhe nëse kjo tentativë dështon atëherë presidenti duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.

Sipas Baraliut, nëse presidenti do të hezitojë t’ia japë mandatin partisë së dytë për formimin e Qeverisë, bën shkelje kushtetuese.

“Sigurisht që bën edhe shkelje të Kushtetutës, edhe të dispozitave të Nenit 95 dhe shkelje të dispozitave të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014”, ka përfunduar Baraliu.

 

 

Mst: Qorolli: Mandati, kush i siguron 61 vota

 

Profesori universitar Vigan Qorolli ka shkruar në profilin e tij personal në “Facebook” se dispozitat kushtetuese janë krejtësisht të qarta dhe nuk ka dyshim se presidenti i Republikës ia jep mandatin personit i cili dëshmon se ka besimin e shumicës së deputetëve të Parlamentit. Sipas tij, duke pasur parasysh se numri i përgjithshëm i anëtarëve të Parlamentit të Kosovës është fiksuar në 120, shumica e thjeshtë prej 61 sosh, duhet të përmbushet dhe më pas ajo të dëshmohet në bazë të nënshkrimeve. Në këtë mënyrë mandati duhet t’i jepet personit që dëshmon se ka besimin e 61 anëtarëve të Parlamentit.
”Por, të jemi të qartë se kjo duhet të ndodhë vetëm në rastin e dytë, kur edhe shterohet mundësia e fundit e krijimit të Qeverisë. Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj në vitin 2014 kishte vendosur që fituesit relativë të zgjedhjeve, pra shumicës së certifikuar nga KQZ-ja (partisë ose koalicionit të parë), t’i takojë për herë të parë e drejta e formimit të Qeverisë. Çka ndodh për herë të dytë? Në rast të dështimit të mandatarit të parë, që rrjedh nga fituesi nominal i zgjedhjeve, atëherë shefit të shtetit i takon sipas Kushtetutës ta mandatojë sipas procedurës së njëjtë një kandidat tjetër, që mund të jetë prapë nga ky fitues relativ i zgjedhjeve, nga partia e dytë apo edhe nga e treta”.

Sa i përket diskrecionit që i është lënë shefit të shtetit të vendosë, Qorolli sqaron se diskrecioni nënkupton që shefi i shtetit në konsultim me të gjitha partitë politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e 11 qershorit sigurohet se kush e ka shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh, e cila garantohet nëpërmjet nënshkrimeve të deputetëve të certifikuar nga KQZ-ja dhe të betuar në seancë konstituive. Një deputet, sipas tij, nuk mund të nënshkruajë më shumë se një herë për forcën politike, e cila duhet ta sigurojë presidentin se do ta formojë Qeverinë. “Ky është diskrecioni i shefit të shtetit, i cili obligohet me Kushtetutë ta ruajë në radhë të parë unitetin e popullit, pastaj sigurimin e mirëfilltë të stabilitetit demokratik të institucioneve dhe në fund respektimin e vullnetit të sovranit, popullit”.

Qorolli ka shtuar se mandatari i dytë duhet ta bindë presidentin nëpërmjet minimum 61 nënshkrimeve se e gëzon përkrahjen e deputetëve, respektivisht për formimin e Qeverisë dhe se vota e tyre është pro në ditën e votimit.

Smaka: Nëse nuk i jepet mandati partisë së dytë s’ka shkelje nga presidenti

Megjithatë eksperti i çështjeve ligjore, Riza Smaka, thotë se presidenti nuk bën shkelje ligjore nëse refuzon t’ia japë mandatarin LVV-së, sepse siç thotë ai procedura e presidentit në këtë rast nuk është obligative, por diskreciale.

“Por mos të harrojmë kjo procedurë diskreciale nuk është obligative. Mund të mos ia japë mandatin partisë së dytë. Kur është fjala për autorizime diskrenciale, nuk është fjala për shkelje të dispozitës ligjore”, ka përfunduar Smaka.

Por njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, në një bisedë për gazetën “Zëri” sjell një skenar në bazë të së cilit mund të formohet ose jo Qeveria e ardhshme pas rezultatit të 11 qershorit.

Ai e bën të qartë se nëse koalicioni PAN dështon në marrjen e votave për formimin e Qeverisë, atëherë automatikisht mandatari i kthehet presidentit Thaçi.

“Nëse PAN-i  nuk arrin të krijojë Qeverinë, duke mos i marrë votat e mjaftueshme prej 61 në Kuvend, e kthen mandatin te presidenti në pamundësi për të gjetur partner koalicioni qeverisës, atëherë presidenti e shfrytëzon të drejtën për ta caktuar një mandatar të ri nga partia apo koalicioni që e dëshmon se i ka votat e nevojshme në Kuvend për ta votuar Qeverinë”, ka thënë Tahiri.