Psikologu për 'Balenën Blu': Situata është shqetësuese

Aktuale June 16, 2017 - 23:59

Loja virtuale e rrezikshme “Balena Blu” duhet të trajtohet me seriozitet të lartë.

Këtë e thotë psikologu Fitim Uka, që ka thënë se situata në Kosovë nuk është alarmante.

“Ne duhet të mos bëjmë panik por ta trajtojmë çështjen me seriozitet. Edhe organet e rendit tashmë janë të njoftuar”, ka thënë Uka, njofton Klan Kosova.

“Situata është shqetësuese”, ka thënë ai në “Ora e Fundit”.

“Realisht ajo çfarë po shohim sot është se kjo është një prej lojërave më agresive elektrike që ka rezultat me numër të madh të viktimave”.

Ai ka thënë se prindërit në vend në këtë kohë do të duhet që ta rrisin komunikimin me fëmijët e tyre dhe t’i mbikëqyrin se në çfarë faqesh nëpër internet qasen ata.

“Është e domosdoshme që të vendohet marrëdhënia e komunikimit me ta, duke mos i qortuar por duke i pyet se pse po e luajnë këtë lojë – nëse e luajnë tashmë”.

“Nuk kam marrë thirrje personalisht por kam dëgjuar nga kolegët që njerëzit janë drejtuar te ta”, ka thënë Uka duke iu referuar kërkesës për ndihmë të qytetarëve.

Ai ka thënë se krijuesi i lojës “Balena Blu” është një psikolog i larguar nga studimet.

“Termi që përdoret më së shumti është terrorizëm. Mëveshët heroizmi dhe më pas gjithçka përfundon me vetëvrasje”, ka shtuar ai.