PAN: Formimi i institucioneve do të ndodhë në afat rekord

Aktuale June 16, 2017 - 15:46

Partnerët e koalicionit parazgjedhor PAN janë optimist se do t’i formojnë institucionet e reja në afat të shpejtë dhe paprolongime.

Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Pal Lekaj nga AAK kanë thënë se konstituimi i institucioneve do të ndodhë në afat rekord pas përmbylljes se certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së.

Në një prononcim për ‘Indeksonline’, Stavileci ka thënë se janë në pritje të përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore, e pastaj formimin e institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Jemi në pritje të përmbylljes se procesit zgjedhor dhe certifikimit të rezultateve dhe pastaj formimi i institucioneve të reja. Në cilësinë e fituesve të pakontestueshëm të zgjedhjeve presim qe në afat shumë të shpejtë të përmbyllim edhe këtë proces”, ka thënë Stavileci.

Në linjë me të është edhe nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj.

Ky i fundit thotë se Qeveria e re do të formohet ashtu siç ka thënë Haradinaj, një javë pas certifikimit të rezultateve.

Lekaj është i bindur se përveç Haradinajt nuk ka mundësi qe dikush tjetër të jetë kryeministër i vendit dhe këtë ai e mbështet në votat e marra nga ana e koalicionit PAN.

“Po dëgjojë deklarata edhe nga VV dhe Albin Kurti, kandidat poashtu për kryeministër se ai është fitues, por fitues i zgjedhjeve është koalicioni PDK AAK Nisma dhe në këtë drejtim nuk ka fituar Kurti, por Haradinaj që qytetarët ia kanë dhënë besimin. Prandaj nuk shoh ndonjë krizë në të ardhmen, por shpresoj që institucionet dhe Qeveria të formohen në afat rekord siç ka thënë Haradinaj”, ka thënë Lekaj për ‘Indeksonline’.

Në koalicion me PDK-në dhe AAK-në është edhe Nisma për Kosovën, cila sipas kreut të këtij subjekti, Fatmir Limaj do të ketë së paku 7 deputetë në legjislaturën e ardhshme.

Në tërësi koalicioni PAN do të ketë rreh 40 deputetë në Kuvendin e Kosovës.