Balena Blu, rrëfimi tronditës për TCH: Mos u gënjeni se ju vret

Aktuale June 15, 2017 - 20:31

Vajza adoleshente nga Gjirokastra rrëfen për Top Channel sesi e perfshinë njerëz të panjohur në internet në lojën vrasëse Balena blu.

Ajo tregon sesi dëmtonte veten fizikisht dhe i dërgonte foto kriminelëve në distancë. Dhe sesi u zbulua nga mësuesja e shoqet. Adoleshentja paralajmëron moshatarët t’i rrinë larg lojës që mund t’u marri edhe jetën.

“Kam lozur lojën Balena Blu e cila është një lojë e rrezikshme.

Kam luajtur në telefonin e shoqes sime e cila e kishte si aplikacion në telefon dhe bashkë me atë luajtëm. Pasi nisëm ta luanim këtë lojë të rrezikshme ka qenë shumë e vështirë për ta lënë, pavarësisht se informacionet i kam marre pasi kam nisur ta luaj lojën. Por ka qenë shumë e vështirë për ta lënë. Loja na kërkonte disa veprime të rrezikshme për ta bërë si për shembull, të kërkonte informacionet e tua si emri, ditëlindja, mosha, emrat e prindërve dhe informacione rreth vetes. Të kërkonin fotot e tua dhe të prindërve. Komunikimi bëhej në anglisht jo shqip, se ajo lojë nuk është bërë këtu. Gjithashtu kërkonte të gjuaje veten me shpullë dhe që të ishte i sigurt të kërkonte foto. Kërkonin të rrije pa bukë, të zgjoheshe në ora 4.00 të mëngjesit, ose të presësh duart në formën e balenës ose damarët.

Aktualisht unë kam arritur në nivelin 33 që të kërkonte të prisje damarët gjë që unë nuk e arrita dhe pata guximin që para një dite, pra para se të shkoja në nivelin 33 u kam thënë shoqeve se e luaj këtë lojë, nuk e di si po ai më kishte kërkuar që të mos i tregoja njeriu. Dhe shokët e mi menduan që të premten që s’kisha shkuar në shkollë mos më kishte ndodhur ndonjë gjë dhe lajmëruan mësuesen dhe i thanë se unë e përdorja këtë lojë të rrezikshme. Dhe ajo më ka ardhur në ndihmë dhe e denoncoi edhe në polici këtë lajm.

Ju them të gjithë bashkëmoshatarëve dhe prindërve që të mos e luajnë këtë lojë se është e rrezikshme dhe janë të gjitha të verteta dhe ata të thonë që nëse vdes fiton lojën ose ngjallesh prapë, gjë që s’është e vertëtë se unë s’kam parë njeri që të ngjallet. Dhe nëse në rrjetet sociale ju flet Balena Blu, se ju flet edh aty dhe ju merr edhe numrin e telefonit, ju duhet t’i thoni “jo” ose të shkoni në polici ta denonconi”, rrëfen vajza.