LDK-ja vija të kuqe për PAN-in, e hapur për LVV-në

Aktuale June 14, 2017 - 08:40

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e 11 qershorit doli humbëse edhe pse ishte në koalicion me tri parti, ka ndarë mendje sa i përket një koalicioni të mundshëm me PAN-in. Kryesia e LDK-së shprehet e bindur se në asnjë mënyrë nuk do bashkëpunojë më me PDK-në, shkruan sot, gazeta Zeri.

Në anën tjetër, kjo parti dhe deputetët e koalicionit PAN morën një ftesë publike nga kandidati për kryeministër i lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti, për bashkëqeverisje, thirrjen e së cilës LDK-ja nuk e vendos larg mendjes duke siguruar se do ta shqyrtojë ofertën që LVV-ja do ia ofrojë, pastaj të vendosë.

Ndërkohë, analistët në vend pavarësisht qëndrimit të LDK-së për vija të kuqe me PAN-in besojnë se një koalicion LDK-PAN është i mundshëm.

Kurse politologët theksojnë se në këto momente kritike për vendimmarrje ai që ka një rol të rëndësishëm është presidenti Hashim Thaçi.

 Kandidati i lëvizjes “Vetëvendosje” për kryeministër, Albin Kurti, i ka bërë thirrje koalicionit LDK- AKR-Alternativa e deputetëve të PAN-it për ta udhëhequr qeverisjen e ardhshme, e cila do të drejtohet nga LVV-ja.

“Ne sot ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK-AKR- Alternativa, si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK-AAK-Nisma që janë kundër zhvillimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të klanit ‘Pronto’ të na bashkohen në tryezë për të diskutuar për situatën politike pas këtyre zgjedhjeve, si dhe për programin politik në qeveri të drejtuar nga LVV-ja”, ka thënë Kurti.

Më tej Kurti shprehet krejtësisht i bindur se drejtimin e qeverisë nga LVV-ja nuk mundet ta pengojë as presidenti Thaçi.

“Burimi i sovranitetit nuk është presidenti, sepse Kosova nuk është monarki, Kosova është Republikë Parlamentare ku burime të sovranitetit janë qytetarët e Republikës dhe nuk ekziston asnjë instant i institucioneve politike dhe aq më pak asnjë njeri i posaçëm që do të mundë të pengonte një gjë të tillë”, ka thënë Kurti, duke theksuar se do t’i përfshijë edhe pakicat në qeverinë e tij.

Në anën tjetër, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se ka gjasa të pranojnë ftesën e Kurtit për bashkëqeverisje.

“Po more, pse jo, të shohim se çfarë oferte kanë ata dhe çfarë oferte kemi ne dhe kryhet muhabeti”, ka thënë Rugova.

Sipas tij, koalicioni LAA-ja do të pranojë të ulet në një tavolinë të përbashkët me “Vetëvendosjen”.

“Ne do të bisedojmë, i kemi disa punë të tjera momentalisht, ulemi, bisedojmë me partitë e ndryshme dhe kryhet. Ne do t’i pranojmë takimet me z. Kurtin. Të gjitha partitë duhet të ulen në tavolinë dhe të bisedojnë se çfarë duhet të bëhet për shtetin e Kosovës”, ka shtuar Rugova, i cili prerazi thekson se me PDK-në nuk do të bëjnë koalicion në asnjë mënyrë.  

“Me PDK-në nuk do të bëjmë koalicion, me të tjerët”, ka deklaruar Rugova.

Kurse politologu, Ramush Tahiri, beson se janë pesë mundësi për formimin e qeverisë.

“Populli votoi dhe e bëri ndryshimin e votoi kundër politikës së deritashme të qeverisjes.

“Si mundësi janë pesë opsione: që të formohet qeveri gjithëpërfshirëse me figura të para ose me figura të dyta, të gjithë në pushtet e askush në opozitë”, ka thënë Tahiri, duke cekur në vazhdim mundësitë tjera: “E  dyta PAN-LAA-minoritetet; e treta PAN-‘Vetëvendosje’- minoritetet; e katërta  ‘Vetëvendosje’-LAA-minoritetet; e pesta vendi të shkojë prapë në zgjedhje”, ka potencuar ai.