'Dridhet' PAN-i

Aktuale June 14, 2017 - 08:14

Kandidati për deputet i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, thotë se nëse nuk u plotësohen kërkesat e tyre do të dalin nga koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma). Edhe Anton Berisha, nga AAK-ja, thotë se do të ishte i qëlluar një koalicion paszgjedhor mes “Vetëvendosjes” dhe AAK-së ndonëse me PDK-në kanë garuar në zgjedhjet e 11 qershorit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk pritet ta nxjerrin Kosovën nga kriza institucionale. Përkundrazi, pas rezultateve të ngushta midis tri blloqeve kryesore pritet të ketë një ngërç politik, i cili do ta pamundësojë krijimin e institucioneve të reja.

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, të cilët madje nuk përjashtojnë mundësinë për prishje të ndonjë koalicioni parazgjedhor.

Nga ana tjetër, analistët konsiderojnë se zhvillimet e mëtutjeshme varen shumë nëse LDK-ja e partnerët e saj do ta mbajnë fjalën që të mos bëjnë koalicion me PAN-in (koalicioni PDK-AAK-Nisma), shkruan Zeri.

Kjo sipas tyre mund të sjellë mundësinë e krijimit të një koalicioni tjetër, ku nuk do të jetë fare prezent PAN-i.

Dy partnerët e koalicionit parazgjedhor të PDK-së, përkatësisht nga AAK-ja dhe nga Nisma, thonë për “Zërin” se nëse nuk u përmbushen kërkesat e tyre do të dalin nga koalicioni.

Madje për më tepër e shohin si të mundur një koalicion paszgjedhor edhe me lëvizjen “Vetëvendosje”.

Shala: Nëse nuk përmbushen kërkesat tona, dalim nga koalicioni

Kandidati për deputet i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, ka thënë për “Zërin” se nuk është diskutuar nëse ky subjekt do të largohet nga koalicioni PAN pas zgjedhjeve.

Megjithatë, Shala ka thënë se po që se nuk përmbushen kërkesat e Nismës, atëherë do të dalin nga ky koalicion.

“Këtë temë ende nuk e kemi biseduar në parti. Nuk kam përgjigje se çka do të ndodhë. Në qoftë se nuk përmbushen kërkesat tona, nuk kemi pse të rrimë me ta. Në politikë jemi për t’i plotësuar kërkesat e qytetarëve tanë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Shala më tutje ka thënë se partia që ai përfaqëson ka arritur një sukses tejet të mirë në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur si Nismë, presim një rritje të votave dhe presim që të kemi edhe deputetin e tetë në kuadër të Nismës për Kosovën”, ka potencuar ai.

Berisha: Koalicioni AAK-LVV do të ishte i qëlluar

Ndërkaq Anton Berisha, anëtar i Kryesisë së AAK-së, ka konsideruar se do të ishte i qëlluar një koalicion mes “Vetëvendosjes” dhe AAK-së.

“Është koha që besimin të cilin e kanë marrë nga qytetarët ta shndërrojnë në dobi për Kosovën. Nëse ata brenda vetes si figurë qendrore kanë Rexhep Selimin, pse ata nuk mund të bashkëpunojnë me Ramush Haradinajn?”, ka deklaruar ai.

Berisha më tej ka thënë se bashkëpunimi me LVV-në do të duhej të ndodhte për arsye se nuk duhet të shkojë huq energjia tash e tutje.

“Kanë përkrahje të masës, kanë treguar performancë, të mos e derdhin më energjinë në garë politike, por në institucione. Shteti dhe qytetarët varen nga institucionet dhe ato duhet të jenë në shërbim të tyre”, është shprehur ai për “Zërin”.

Megjithëkëtë, Berisha ka thënë se ky është një qëndrim personal i tij.

Deda: Kemi garuar bashkë dhe bashkë do të mbesim

Kurse kandidati për deputet i Alternativës (nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa), Ilir Deda, ka thënë se ky subjekt nuk do ta prishë koalicionin me LDK-në.

“Nuk ka asnjë arsye që të dalim nga koalicioni me LDK-në. Kemi garuar bashkë në zgjedhje dhe do të mbesim bashkë edhe në të ardhmen. Është shumë e rëndësishme që të gjithë bashkë në koalicionin LDK-AKR-Alternativa-LD kemi qëndrim të prerë që nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në. Ndërsa tani e presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve e më pas e shohim a do t’i iniciojë LVV-ja bisedimet me koalicionin tonë për krijimin e qeverisë së ardhshme”, është shprehur Deda.

Ai më tutje ka thënë se koalicioni LAA ka unitet të plotë në qëndrime.

Kurse analisti politik Imer Mushkolaj ka vlerësuar se ngërçi do të jetë i pashmangshëm.

“Ngërçi është i pashmangshëm, duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve. Zhvillimet e mëtejme varen shumë nëse LDK-ja e partnerët do ta mbajnë fjalën që të mos bëjnë koalicion me PAN-in. Kjo sjell mundësinë e krijimit të një koalicioni pa PAN-in, që varet nga vullneti i presidentit të vendit nëse ua jep mundësinë ose jo”, ka deklaruar Mushkolaj.

Beqaj: PAN-i me vështirësi mund ta krijojë qeverinë

Nga ana tjetër, politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se koalicioni PDK-AAK-Nisma e ka shumë të vështirë ta konstituojë qeverinë e ardhshme.

“PAN-i me vështirësi mund ta krijojë qeverinë”, ka deklaruar ai. Sipas Beqajt, as “Vetëvendosja” nuk do të mundë ta udhëheqë qeverinë pa i bërë të qarta synimet politike.

“‘Vetëvendosja’ është strumbullar i zgjidhjes, por edhe ajo nuk mund ta udhëheqë qeverinë pa e pasur të qartë se cilat synime politike duhet të rishikohen nëse dëshiron të jetë faktor stabiliteti. Në anën tjetër, duhen harmonizuar programet politike me akëcilën parti të orientimit të djathtë nëse nuk dëshiron që ky sukses të mos bëhet i çastit. Besoj se lidershipi i ‘Vetëvendosjes’ është i përgatitur për maratonë, ngase politika serioze nuk bëhet me sprinter (galop)”, ka potencuar ai për “Zërin”.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka vlerësuar se ekziston mundësia që koalicionet parazgjedhore të shpërbëhen.

“Ekziston mundësia që të ketë, por kjo është shumë më e vështirë se herëve të tjera. Mendoj që ka individë të cilët kanë treguar mosqëndrueshmëri duke luajtur nga një parti në tjetrën, të cilët mund të bëjnë edhe kësaj radhe pazare. Por kjo nuk i çon larg, meqë është vështirë të paramendohet se sa gjatë mund të shkojë një qeverisje kaq e brishtë”, ka deklaruar ai.

Ai më tej ka vlerësuar se opsioni më i natyrshëm për të vepruar kësisoj është Ramush Haradinaj.

“Nuk e besoj që LDK-ja e as LVV-ja do të lëvizin, por është e natyrshme për AAK-në dhe për z. Haradinajn t’i bëjë përpjekjet maksimale për ta krijuar qeverinë. Unë kam thënë që humbësi më i madh në këto zgjedhje do të jetë PDK-ja vetë si iniciatore e këtyre zgjedhjeve sepse ajo ka pranuar dështimet dhe paaftësinë për të menaxhuar me shtetin”, ka theksuar ai, ndërkohë që ka konsideruar se qeveria e re do të jetë e brishtë dhe me duar të lidhura.