Beqaj: PAN-i, me vështirësi mund ta krijojë qeverinë

Aktuale June 13, 2017 - 17:40

Politologu Belul Beqaj, ka vlerësuar se koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) e ka shumë të vështirë ta konstituojë qeverinë e ardhshme. Kurse, të lehtë për ta udhëhequr qeverinë sipas tij, nuk e ka as Vetëvendosje (si subjekti i dytë), pasi që ashtu si ka potencuar, VV duhet t’i ketë të qarta synimet politike dhe t’i harmonizojë programet.   

“PAN-i me vështirësi mund ta krijojë qeverinë, por asnjë variant që mund të sigurojë numra pa siguruar përcaktimet dhe bindjet politike edhe të elektoratit të partnerëve të koaliconit të mundshëm, mund të shndërrohet në eksperiment me pasoja më të mëdha se që ishte formimi  i Qeverisë së elefantëve që përfundoi duke vendnumëruar”, ka deklaruar ai për "Zerin".

Sipas Beqajt, as Vetëvendosje nuk do të mund ta udhëheqë qeverinë pa i bërë të qarta synimet politike.

“Vetëvendosje është strumbullar i zgjidhjes, por edhe ajo nuk mund ta udhëheq qeverinë pa e pasur qartë se cilat  synime politike duhet të rishikohen, nëse dëshiron të jetë  faktor stabiliteti. Në anën tjetër, duhet  harmonizuar programet politike me akcilën parti të orientimit të djathtë nëse nuk dëshiron që ky sukses të  mos bëhet i çastit. Besoj se lidershipi Vetëvendosjes është i përgatitur për maratonë, ngase politika serioze nuk bëhet me sprinter”, ka potencuar ai.

Profesori universitar Belul Beqaj, tutje, ka vlerësuar se rezultati i Vetëvendosjes erdhi si pasojë e zhgënjimit të elektoratit në partitë e tjera.

“Rezulati i jashtëzakonshëm i Vetëvendosjes është  pasojë e zhgënjimit në partitë tjera dhe konsistencës politike të synimeve të Vetëvendosjes. Por, ky rezulatat duhet të jetë  motiv mobilizues për të rishikuar të gjitha synimet politike që paraqiten si pengesë potenciale që elektorati ta mbështesë edhe më shumë Vetëvendosjen, për shkak të  realizimit praktik të synimeve politike, ngase është një hendek i amdh mes synimeve politike dhe poltikbërjes praktike”, ka theksuar Beqaj./Zeri