Der Standard: Koalicioni i PAN ka arritur fitore të Pirros

Aktuale June 13, 2017 - 14:38

Gazeta e Vjenës “Standard” shkruan sot se fituesi i vërtetë i zgjedhjeve në Kosovë është Lëvizja Vetëvendosje, dhe se, pavarësisht se kush merr përsipër kreun e qeverisë - Ramush Haradinaj apo Albin Kurti – është e mundur të parashikohen pengesa të reja në dialogun me Beogradin, transmeton "Zeri.info".

Formimi i Qeverisë së Kosovës do të jetë e vështirë pas zgjedhjeve, konstaton, "Standard", duke deklaruar se koalicioni i PAN ka arritur një fitore të Pirros dhe se asnjë parti e vetme nuk e kam marrë më shumë vota sesa "Vetëvendosje", e cila ka arritur të dyfishojë rezultatin nga zgjedhjet e fundit.

LEXO EDHE: Fitore e Pirros

Ndërsa e përditshmja "Die Presse" vlerëson se bashkimi i ish-anëtarëve të UÇK-së për të formuar qeverinë ka nevojë për mbështetjen e të gjithë 20 pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës, përcjell "Zeri.info".

"Die Presse" shkruan se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe "Vetëvendosje" kanë përjashtuar bashkëpunimin me një koalicion të veteranëve të UÇK-së, duke shtuar se në media tashmë po spekulohet mbi bashkëpunimin e mundshëm në mes të dy palëve, me Nismës për Kosovën, për shkak se shefi i saj, Fatmir Limaj, nuk ka marrë pjesë në festimin e bllokut fitues.

"Duket se në Kosovë, si në vitin 2014, do të pasojnë disa muaj negociatash. Pavarësisht nëse përfundimisht Kurti apo Haradinaj do të marrë kryesimin e qeverisë, pengesa të reja tashmë mund të parashikohen në dialogun me Beogradin", konkludon gazeta. /ZËRI/