Çelësi i qeverisë te LDK-ja

Aktuale June 13, 2017 - 08:14

Koalicioni PAN mund ta formojë qeverinë e re vetëm me votat e LDK-së ose duke i  “peshkuar” disa deputetë nga koalicioni i kësaj të fundit. Zgjidhje tjetër nuk ka, pasi i mungojnë numrat e nevojshëm për ta formuar shumicën e thjeshtë parlamentare edhe me votat e minoriteteve, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pavarësisht se doli më së keqi në zgjedhjet e 11 qershorit duke mbetur me vota pas koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) dhe lëvizjes “Vetëvendosje” te ky subjekt është përsëri çelësi për formimin e qeverisë së re.

Kjo për faktin se në bazë të rezultatit zgjedhor koalicioni PAN nuk do të mundë ta formojë qeverinë e re edhe nëse i merr votat e minoriteteve.

Ky koalicion që e ka kandidat për kryeministër Ramush Haradinajn nuk pritet t’i fitojë më shumë se 39 ulëse në Kuvend dhe me gjitha votat e minoriteteve (20) mund t’i arrijë vetëm 59 vota, dy më pak sesa duhen për ta formuar qeverinë e re, shkruan tutje Gazeta “Zëri”.

Megjithatë, zyrtarët e LDK-së jozyrtarisht janë deklaruar se nuk do të shkojnë në koalicion me PAN-in, duke preferuar që qeverinë e re ta bëjnë me lëvizjen “Vetëvendosje”.

Këto dy subjekte pritet t’i kenë 61 deputetë në Kuvendin e ri dhe me votat e minoriteteve mund ta sigurojnë një qeveri stabile.

Baraliu: Formimi i qeverisë nga PAN-i është pothuajse i pamundur

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, nuk e përjashton mundësinë e krijimit të një koalicionit mes LDK-së e PAN-it.

“Në politikë asgjë nuk thuhet në mënyrë të prerë, nuk ka asgjë të pamundur. Çdo gjë është e mundur edhe në kundërshtim me logjikën e shëndoshë. Është i mundur çdo kombinim eventual dhe varësisht nga rrethanat, nga kombinatorika, oferta, momenti politik ose nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe nga shumë faktorë të tjerë që të ketë aso kombinimesh”, ka thënë Baraliu për “Zërin”, duke shtuar se PAN-i e ka të vështirë realizimin e ëndrrës së saj.

“Në qoftë se koalicioni PAN nuk i arrin numrat e deputetëve prej 61, dihet se me rezultatet që ka tani nuk mundet të arrijë këtë, pasi i duhen edhe të tjerë deputetë, plus deputetët e minoriteteve”, ka shtuar ai.

Më tej Baraliu vë në pah faktin se koalicioni PAN nuk e ka të siguruar as votën e Listës Serbe për formimin e qeverisë, të cilët pritet t’i zënë 8 ulëse në Kuvend.

“Por janë edhe ato disa probleme të caktuara të cilat janë shprehur gjatë fushatës elektorale nga Lista Serbe që nuk do ta përkrahin këtë koalicion, atëherë ky koalicion nuk mund të mandatohet. Pra, assesi të krijojë mandatin në qoftë se nuk mundet të sigurojë 61 deputetë”, ka deklaruar ai.

Maliqi: Pozita e Haradinajt, e vështirësuar

Në anën tjetër, analisti politik Agon Maliqi mendon se gjasat që Isa Mustafa të ulet në karrigen e kryeministrit janë shumë të pakta.

“Është e vështirë që Isa Mustafa në çfarëdo varianti të bëhej kryeministër”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se pas rezultatit të 11 qershorit edhe pozita e Haradinajt është vështirësuar.

“Edhe pozita e Haradinajt është vështirësuar tani me rezultatin më të dobët sesa ai i pritur për PAN-in”, ka thënë Maliqi. Ai ka shtuar se tani gjithçka varet nga qëndrimi i LDK-së.

“Gjithçka varet tani nga qëndrimi i LDK-së, ndoshta edhe nga mundësitë për përçarje apo shkëputje të grupeve të vogla të deputetëve”, ka shtuar Maliqi.

Ndryshe, Maliqi e vlerëson si jo të mirë rezultatin e LDK-së.

“Besoj se rezultati për LDK-në nuk duhet të jetë i kënaqshëm. Bashkë me AKR-në kanë pasur 5% më pak vota se rezultati i tyre në vitin 2014 dhe mbetet të shihet se cila prej tyre ka shënuar rënie. Sa i përket koalicioneve, nuk do të doja të spekuloja”, ka përfunduar Maliqi.

Ismajli: LDK-ja jo në koalicion me PAN-in

Analisti politik Valmir Ismajli vlerëson se renditja e LDK-së në listën e rezultateve zgjedhore është ndëshkim i koalicionit të mëparshëm me PDK-në.

“Ky rezultat është pagesë e faturës për koalicionin e mëhershëm me PDK-në. Largimi i Isa Mustafës duket se ka qenë i pamjaftueshëm që të bindë elektoratin e LDK-së të votojë edhe një herë për këtë parti. Edhe koalicioni me AKR-në, Alternativën dhe prurjet e reja po tregohen që nuk ka qenë edhe aq dobiprurëse”, ka thënë Ismajli.

Sipas Ismajlit, LDK-ja nuk duhet t’i largojë vijat e kuqe karshi PAN-it.

“Në asnjë mënyrë LDK-ja nuk duhet të pranojë që të hyjë edhe një herë në koalicion me PAN-in sepse kjo do të ndikonte që përkrahja e LDK-së të shënonte rënie drastike. Më mirë do të ishte për LDK-në të qëndronte në opozitë dhe të shfrytëzonte këtë kohë për reformim të saj”, ka shtuar Ismajli, duke shtuar se në asnjë kombinatorikë Mustafa nuk do të bëhet kryeministër.

Më tej ai ceku se pas rezultatit të 11 qershorit lidershipi i LDK-së duhet të japë dorëheqje.

“Për këtë arsye menjëherë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve lidershipi aktual i LDK-së duhet të japë dorëheqje dhe të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme brenda partisë dhe kështu t’i hapet rrugë reformimit të saj”, ka deklaruar Ismajli, duke theksuar se në të kundërtën rezultatet në zgjedhjet lokale do të jenë edhe më dëshpëruese.

Abdixhiku dhe Deda: Nuk bëjmë koalicion me PAN-in

Kandidatët për deputetë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Ilir Deda, i kanë potencuar edhe një herë vijat e kuqe për koalicionin me PDK-në.

“Populli foli. Ata duan PAN-in në opozitë. Këtë vullnet të tyre LDK-ja duhet dhe do ta përmbushë. Vota juaj do të respektohet në plotësi”, ka thënë Abdixhiku.

Se nuk do të ketë koalicion me PAN-in në asnjë mënyrë siguron edhe kandidati për deputet nga radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Ilir Deda. 

“Populli e tha fjalën e vet, tash këtë duhet ta bëjë politika. Ju siguroj se koalicioni ynë do të qëndrojë bashkë dhe se as si bllok e as si subjekte ndaras nuk do ta përkrahim PAN-in”, ka potencuar Deda, duke siguruar se në asnjë mënyrë partnerët e koalicionit nuk do t’i dëshpërojnë votuesit: “Të jeni të sigurt që në asnjë mënyrë nuk do t'ju dëshpërojmë dhe mbi votën tuaj nuk do të bjerë terri”, ka përfunduar Deda.