Ambasadori francez, Didier Chabert, viziton gazetën ‘Zëri’ (Foto)

Aktuale June 01, 2017 - 13:11

Ambasadori i ri i Francës, Didier Chabert, ka vizituar sot redaksinë e gazetës “Zëri” në Prishtinë, ku është pritur nga kryeredaktori i gazetës, Lavdim Hamidi.

Ambasadori Chabert, ka vlerësuar lartë rolin e gazetarisë së pavarur në vend, me theks të veçantë rolin e gazetës “Zëri” si një prej mediumeve më të mëdha dhe më pavarura në vend.

Duke dhënë mbështetjen e tij dhe të ambasadës franceze për rolin medias, ambasadori Chabert ka thënë se është shumë e domosdoshme që në këtë periudhë të rëndësishme për vendin dhe të ardhmen e tij, shtypi të luaj rolin e tij konstruktiv.

Më tutje, ambasadori Chabert ka bërë të ditur se Franca qysh sot do të bëjë kërkesë në KQZ për regjistrimin e vëzhguesve të saj në zgjedhjet e 11 qershorit, ashtu siç pritet të bëjnë gjatë këtyre ditëve edhe shumë shtete të tjera të BE-së në Kosovë.

Kurse, kryeredaktori i gazetës “Zëri”, Lavdim Hamidi, e ka njoftuar ambasadorin Chambert me punën e gazetës “Zëri” dhe planin e saj në përcjelljen sa më korrekte të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Kryeredaktori Hamidi ka vlerësuar punën e ambasadave të shteteve të BE-së në vend, në veçanti të Francës dhe SHBA-së, për rolin e tyre në mbështetjen e fjalës së lirë.

Më tutje ai ka njoftuar ambasadorin francez edhe për sfidat nëpër të cilat gazetarët duhet të kalojnë në realizimin e punës së tyre, duke përmendur këtu edhe kërcënimet dhe sulmet jo të pakta që kanë ndodhur ndaj komunitetit të gazetarëve.

Ambasadori Chabert dhe kryeredaktori Hamidi, kanë folur edhe për procesin zgjedhor, partitë politike dhe prioritetet e sfidat e shoqërisë kosovare pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. /Zëri/

Image

Image

Image

Image